SHBA dhe Rusia kërkojnë rishikimin e sigurisë europiane, pesë skenarët për të ardhmen e kontinentit

24 Nov 2026 • 10:27
Shpërndaje:

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po ushtrojnë presion ndaj Europës për rishikimin e arkitekturës së sigurisë së kontinentit, në kuadër të përpjekjeve për përfundimin e luftës në Ukrainë. Megjithatë, propozimet për ndryshimin e rendit ekzistues të sigurisë po përballen me rezistencë nga vendet europiane.

Sipas një analize të POLITICO, presidenti rus Vladimir Putin prej kohësh kërkon riorganizimin e sistemit europian të mbrojtjes, tërheqjen e forcave të NATO-s dhe një rol më të madh të Moskës në vendimmarrjen për sigurinë e kontinentit.

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump, në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës, po mbështet disa elemente të kësaj qasjeje.

Reklamë Ola

“Garancitë e sigurisë për Ukrainën nuk mund të finalizohen të izoluara nga arkitektura europiane e sigurisë pas luftës. Të dyja duhet të shqyrtohen së bashku”, deklaroi të dielën i dërguari i Trump për paqen, Jared Kushner.

POLITICO ka zhvilluar biseda me 12 zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë europianë, ekspertë dhe diplomatë të NATO-s, të cilët kanë përcaktuar disa vija të kuqe: asnjë negociatë për sigurinë europiane pa pjesëmarrjen e Europës, asnjë vendim i njëanshëm për anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe asnjë marrëveshje e re përpara përfundimit të luftës.

Reklamë InterMedika

“Ne kemi një rend sigurie në Europë dhe nuk kemi nevojë ta ndryshojmë atë”, deklaroi ministri norvegjez i Mbrojtjes, Tore Sandvik.

Në analizën e saj, POLITICO identifikon pesë skenarë të mundshëm për të ardhmen e sigurisë europiane.

Skenari i parë parashikon forcimin e rolit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), një nga institucionet e pakta europiane të sigurisë ku Rusia vazhdon të jetë anëtare. Në rast të një marrëveshjeje paqeje, organizata mund të angazhohet në monitorimin e armëpushimit, uljen e tensioneve, rritjen e transparencës ushtarake dhe ndërtimin e besimit ndërmjet palëve. Megjithatë, vendimmarrja me konsensus mes 57 shteteve anëtare mbetet një pengesë për efektivitetin e saj.

Një tjetër mundësi është riaktivizimi i Këshillit NATO–Rusi, një ide e mbështetur edhe nga Jared Kushner. Ky mekanizëm, i krijuar në vitin 2002, shërbente si platformë konsultimi dhe bashkëpunimi, pa i dhënë Moskës të drejtën e vetos mbi vendimet e Aleancës. Këshilli nuk është mbledhur që prej periudhës përpara pushtimit të plotë të Ukrainës, ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka cilësuar këtë format si të vdekur. Disa diplomatë vlerësojnë se rikthimi i tij mund të ndihmojë në menaxhimin e tensioneve pas luftës, por paralajmërojnë edhe për rreziqet politike të një vendimi të tillë.

Skenari i tretë përfshin hartimin e një traktati të ri gjithëpërfshirës për sigurinë europiane. Një marrëveshje e tillë mund të marrë parasysh ndryshimet gjeopolitike, anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, aspiratat europiane të Ukrainës dhe kërcënimet që lidhen me teknologjitë e reja. Megjithatë, propozimi përballet me kundërshtime për shkak të shqetësimeve se Rusia mund të fitojë ndikim mbi vendimet strategjike të vendeve europiane.

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, ka kundërshtuar rishikimin e aleancave ekzistuese, ndërsa diplomatë të NATO-s kanë refuzuar gjithashtu idenë e marrëveshjeve dypalëshe të mossulmimit ndërmjet Rusisë dhe shteteve të veçanta anëtare, duke argumentuar se ato mund të krijojnë përçarje brenda Aleancës.

Në këtë kontekst, mbetet në diskutim edhe propozimi amerikan për t’i ofruar Ukrainës garanci sigurie të ngjashme me ato të Nenit 5 të NATO-s. Moska e ka kundërshtuar këtë alternativë, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar sqarime konkrete mbi angazhimet e vendeve partnere dhe mënyrën se si këto garanci do të funksiononin në rast të një sulmi të ri.

Skenari i katërt parashikon krijimin e një formati të ri bashkëpunimi ndërmjet Bashkimit Europian dhe Rusisë. Marrëdhëniet institucionale mes palëve u ngrinë pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014. Kompetencat e BE-së në tregti, sanksione, viza dhe menaxhimin e kufijve mund të krijojnë hapësira për dialog pas luftës, por ekspertët paralajmërojnë se normalizimi i parakohshëm i marrëdhënieve ekonomike dhe energjetike me Moskën mund të krijojë varësi dhe rreziqe të reja për Europën.

Komisioni Europian ka theksuar se diskutimet mbi të ardhmen e sigurisë së kontinentit mund të zhvillohen vetëm pasi të arrihet një armëpushim në Ukrainë dhe në koordinim me vendet anëtare të BE-së dhe aleatët e NATO-s.

Skenari i pestë është ruajtja e arkitekturës ekzistuese të sigurisë europiane, pa ndryshime thelbësore në funksionimin e NATO-s dhe Bashkimit Europian. Disa prej zyrtarëve dhe ekspertëve të intervistuar nga POLITICO e konsiderojnë këtë një mundësi realiste, duke pasur parasysh kundërshtimet ndaj kërkesave të Moskës. Megjithatë, ata paralajmërojnë se mungesa e një mekanizmi të qëndrueshëm dialogu mund të shoqërohet me tensione afatgjata.

Debati mbi arkitekturën e ardhshme të sigurisë europiane nxjerr në pah dallimet mes Uashingtonit, Moskës dhe kryeqyteteve europiane. Ndërsa administrata amerikane kërkon avancimin e negociatave për përfundimin e luftës, vendet europiane këmbëngulin se çdo marrëveshje duhet të respektojë sovranitetin e Ukrainës, pavarësinë vendimmarrëse të NATO-s dhe interesat e sigurisë së kontinentit.