Gjermania përballet me kërcënime kibernetike në rritje, inteligjenca artificiale përshpejton sulmet

24 Nov 2026 • 10:31
Shpërndaje:

Gjermania po përballet me një përkeqësim të ndjeshëm të sigurisë kibernetike, ndërsa zhvillimi i inteligjencës artificiale po rrit shpejtësinë dhe përmasat e sulmeve ndaj institucioneve publike, bizneseve dhe infrastrukturës kritike.

Presidentja e Zyrës Federale për Sigurinë në Teknologjinë e Informacionit (BSI), Claudia Plattner, prezantoi më 19 nëntor në Berlin raportin mbi gjendjen e sigurisë kibernetike, duke e cilësuar situatën si “të tensionuar deri në kritike”.

“Ashtu si vitin e kaluar, edhe sivjet kemi konstatuar se Gjermania është realisht e cenueshme në hapësirën kibernetike, dhe në një masë shqetësuese”, deklaroi Plattner.

Reklamë Ola

Sipas raportit prej 164 faqesh, avancimi i digjitalizimit po zgjeron vazhdimisht hapësirat e ekspozuara ndaj sulmeve, ndërsa inteligjenca artificiale po u mundëson sulmuesve të veprojnë me një shpejtësi dhe në përmasa të paprecedenta. Aktualisht regjistrohen mesatarisht rreth 75 mijë raste në ditë, pothuajse dyfishi krahasuar me një vit më parë.

Autoritetet gjermane paralajmërojnë se objekt i sulmeve po bëhen gjithnjë e më shpesh edhe pajisjet elektronike të përdorimit të përditshëm, përfshirë kamerat, frigoriferët inteligjentë dhe pajisjet e transmetimit online. Pas komprometimit, këto pajisje mund të përfshihen në rrjete të kontrolluara nga sulmuesit dhe të përdoren për aktivitete keqdashëse.

Reklamë InterMedika

Përdorimi i fjalëkalimeve të dobëta dhe mungesa e autentifikimit me dy faktorë mbeten ndër problematikat kryesore. Sipas një ankete të BSI-së, megjithëse 90% e kompanive gjermane i vlerësojnë masat e tyre të sigurisë si të mira ose shumë të mira, vetëm 55% përmbushin standardet minimale të mbrojtjes kibernetike.

Për të monitoruar nivelin e rrezikut, BSI ka zhvilluar një Indeks Kibernetik, i cili kombinon ekspozimin ndaj sulmeve, nivelin e kërcënimit dhe dëmet e shkaktuara. Krahasuar me vlerën bazë prej 100 pikësh në vitin 2024, indeksi është rritur mesatarisht me 50%, duke arritur nivelin rekord prej 238 pikësh në tremujorin e dytë të vitit 2026.

Një shqetësim i veçantë për autoritetet gjermane mbetet zhvillimi i agjentëve autonomë të inteligjencës artificiale, të cilët mund të rrisin më tej kompleksitetin dhe frekuencën e sulmeve kibernetike.

Ndërkohë, koha në dispozicion për reagimin ndaj dobësive të sigurisë është shkurtuar ndjeshëm. Sipas të dhënave të prezantuara, kjo periudhë ka rënë nga 61 ditë në vitin 2024 dhe 53 ditë në vitin 2025, në vetëm tetë ditë gjatë vitit 2026.

Ministri federal i Brendshëm, Alexander Dobrindt, paralajmëroi se në raste të caktuara koha e reagimit është reduktuar tashmë në vetëm disa orë. Megjithatë, ai shprehu besim në aftësinë e Gjermanisë për t’u përballur me kërcënimet, duke iu referuar forcimit të mbrojtjes kibernetike dhe reformës së shërbimeve të inteligjencës, të miratuara së fundmi nga Bundestagu.

Autoritetet gjermane synojnë gjithashtu intensifikimin e bashkëpunimit ndërkombëtar kundër krimit kibernetik, përmes shkëmbimit të informacionit, përvojave dhe mekanizmave të monitorimit të kërcënimeve.

Sipas Plattner, disa vende kanë shfaqur tashmë interes për Indeksin Kibernetik të zhvilluar nga Gjermania, ndërsa janë zhvilluar takime për shkëmbimin e praktikave në fushën e sigurisë digjitale.