Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen dy vendet e Ballkanit Perëndimor me perspektivën më të afërt për anëtarësim në Bashkimin Europian, me mundësinë për të përmbyllur kapitujt e negociatave dhe për të kaluar në fazën e hartimit të traktatit të anëtarësimit.
Kështu deklaroi ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Juraj Blanár, pas takimit të ministrave të Jashtëm të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, të zhvilluar më 23 nëntor në Athinë.
Duke iu referuar premtimit të Bashkimit Europian në Samitin e Selanikut, 23 vite më parë, kryediplomati sllovak vlerësoi se rajoni po i afrohet një momenti historik në procesin e integrimit europian.
“Jemi tani në një moment historik kur mund të arrijmë anëtarësimin e të paktën dy vendeve të tjera, që janë mjaftueshëm të përgatitura për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave dhe për të kaluar te traktati i anëtarësimit, përkatësisht Mali i Zi dhe Shqipëria”, deklaroi Blanár.
Sipas tij, anëtarësimi i dy vendeve do të përbënte një sinjal të rëndësishëm për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, duke dëshmuar se perspektiva europiane e rajonit nuk mbetet vetëm një premtim politik, por një objektiv i realizueshëm. Njëkohësisht, zgjerimi do të kontribuonte në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në kontinent.
Në prag të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, që pritet të zhvillohet më 25 nëntor në Bruksel, Blanár theksoi se procesi i zgjerimit po merr gjithnjë e më shumë karakter politik. Sipas tij, përparimi i vendeve kandidate varet jo vetëm nga përmbushja e kritereve teknike, por edhe nga vullneti dhe konsensusi politik i shteteve anëtare.
Ministri i Jashtëm sllovak u bëri thirrje vendeve të BE-së që të mos lejojnë që mosmarrëveshjet dypalëshe dhe konfliktet e trashëguara nga e kaluara të pengojnë procesin e integrimit të vendeve kandidate.
“Çështjet e ndryshme që vijnë nga e kaluara dhe që mbeten ende të pazgjidhura duhet të zgjidhen në tryezën e negociatave në Bruksel. Ky është edhe qëllimi i integrimit, të forcohemi dhe të ndërtojmë një bashkësi të aftë për t’u përballur me sfida të ndryshme”, përfundoi Blanár.


