Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka deklaruar se Shkupi nuk do të bëjë kompromis për çështjet që lidhen me historinë, identitetin, gjuhën dhe kulturën në kuadër të dialogut me Bullgarinë dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Mucunski tha se komunikimi me Sofjen ka vazhduar që nga formimi i qeverisë, megjithëse intensiteti i tij ka ndryshuar në periudha të ndryshme. Ai theksoi se qëndrimi i autoriteteve maqedonase është i qartë dhe u është komunikuar si qytetarëve, ashtu edhe partnerëve ndërkombëtarë.
Sipas ministrit, historia, identiteti, gjuha dhe kultura përbëjnë “vijat e kuqe” të Maqedonisë së Veriut, për të cilat qeveria nuk është e gatshme të bëjë lëshime.
Ai argumentoi se nuk është e drejtë që rruga evropiane e vendit të vazhdojë të kushtëzohet nga mosmarrëveshje që prekin çështjet e identitetit dhe gjuhës.
Mucunski tha se Shkupi pret nga institucionet evropiane garanci dhe respektimin e parimit të reciprocitetit në fushën e të drejtave të njeriut, si dhe një zgjidhje që, sipas tij, do të garantojë mbrojtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe historisë së vendit.
Ministri bëri të ditur se gjatë javëve të fundit nuk ka pasur diskutime konkrete intensive me përfaqësuesit e BE-së, për shkak të periudhës së pushimeve, por pret që kontaktet të shtohen në ditët në vijim.
Në këtë kuadër, ai përmendi edhe vizitën e ardhshme të ministrit të Jashtëm të Republikës Çeke, duke e cilësuar Çekinë si një vend që ka mbajtur një qëndrim parimor në mbështetje të Maqedonisë së Veriut dhe perspektivës së saj evropiane.
“Është normale që ky dialog të jetë i përhershëm dhe të rrjedhë përmes prizmit të qëndrimeve që kemi paraqitur”, deklaroi Mucunski.
Marrëdhëniet me Bullgarinë dhe mosmarrëveshjet mes dy vendeve mbeten një prej çështjeve kryesore që ndikojnë në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, ndërsa Shkupi kërkon që avancimi drejt BE-së të mos kushtëzohet nga çështje që i konsideron të lidhura me identitetin kombëtar.


