Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili e cilësoi sot protestën e studentëve pengmarrje politike nga Sali Berisha dhe Partia Demokratike, si një orvatje për të ardhur në pushtet.
Në një reagim në rrjetet sociale, Ismaili tha se “sot Saliu na tha se protestat i ka iniciuar forumi i të rinjve demokratë. Sa keq. Të rinj demokratë, në qoftë se do të bëheni si mësuesi, do merrni rezultatet e mësuesit. Mos lejoni që të mbaheni mend si protestuesit që plaçkitën dyqane, morën telefona, bizhuteri, para, pije e çfarë u doli përpara. Por kur mësynë librarinë, nuk morën asnjë libër”.
“Në statistikat gjatë këtyre ditëve, 192 janë efektivë të lënduar, 96 janë protestues dhe 36 janë kalimtarë. 101 organizata, celula nëpër botë janë duke organizuar në të gjithë Evropën protesta të dhunshme, me qëllim krijimin e destabilitetit dhe më keq akoma në Shqipëri, me shpresën se do të frenojnë a pengojnë rrugën e Shqipërisë drejt BE-së”, thekson Ismaili.
Ministrja Ismaili u shpreh se “çudi se si për çdo kapitull të mbyllur të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, ju hapni një kapitull të ri dhune”, u shpreh ajo, ndërsa e cilësoi pretendimin për heqjen e non gratës së Berishës “një gënjeshtër që vetëm ju mund ta besoni”.
Duke u bërë thirrje studentëve të mos përdoren për qëllime politike, ministrja rikujton faktin se qeveria mbetet e hapur për dialog.


