Kurti: Pas certifikimit të rezultateve do të nisim formimin e institucioneve
Procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit në Kosovë po shkon drejt përfundimit, duke hapur rrugën për krijimin e institucioneve të reja dhe nisjen e negociatave politike për legjislaturën e ardhshme.
Sipas rezultateve paraprake, Lëvizja Vetëvendosje renditet forca e parë politike me 52 ulëse në Kuvend. Mbështetja e deputetëve të komuniteteve joserbe dhe e Nenad Rashiqit i siguron kësaj force shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë, por jo numrin e votave të kërkuara për zgjedhjen e presidentit të vendit, proces që kërkon pjesëmarrjen e të paktën 80 deputetëve.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaroi se hapi i parë mbetet certifikimi i rezultateve zgjedhore, pas të cilit do të nisë procesi i konstituimit të institucioneve.
“Ne jemi të interesuar që pa humbur kohë të hyjmë në fazën e ardhshme që është konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të. Sa më shpejt, aq më mirë”, u shpreh Kurti.
Duke folur për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, ai theksoi se ky proces kërkon bashkëpunim me opozitën, por kritikoi qëndrimin e deritanishëm të partive opozitare.
“Vazhduam më tej, duke ofruar që të votojmë presidentin e ofruar nga opozita. Le të na sjellin tre propozime, e ua bëjmë edhe nënshkrimet edhe votat, prap refuzuan, dhe në fund edhe lideren e shoqërisë civile e refuzuan. Pra, për të ecur përpara ka nevojë që të përfundojë sjellja refuzuese e opozitës”, tha ai.
Sipas rezultateve aktuale, Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 22 mandate, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 19 mandate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7 mandate.
Pas certifikimit të rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pritet të nisë zyrtarisht procesi i formimit të institucioneve të reja dhe negociatat për krijimin e shumicës parlamentare.







