Kurti: Kosova drejt modelit finlandez të mbrojtjes
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova duhet të orientohet drejt një modeli të mbrojtjes gjithëpërfshirëse, të ngjashëm me atë të Finlandës dhe vendeve baltike, duke u larguar nga koncepti tradicional i shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Sipas Kurtit, ky model synon të përfshijë të gjithë shoqërinë në përgatitjen dhe reagimin ndaj situatave të emergjencës, duke përcaktuar role dhe detyra konkrete për qytetarët në rast fatkeqësish natyrore, krizash apo konfliktesh të armatosura.
“Një model që i ngjan atij të Finlandës dhe vendeve baltike, ku ti nuk e bën ushtrinë një grumbull të madh njerëzish, që pastaj ta strukturosh e ta pajisësh, por në vend të kësaj përcakton funksione e detyra konkrete dhe vende të caktuara për qytetarët në rast të rreziqeve të ndryshme nga fatkeqësitë natyrore e deri te lufta e armatosur”, u shpreh Kurti.
Qeveria e Kosovës ka miratuar më herët Programin Kombëtar për Mbrojtje Gjithëpërfshirëse, i cili synon forcimin e qëndrueshmërisë kombëtare dhe rritjen e kapaciteteve të shtetit për t’u përballur me kërcënime të ndryshme.
Programi parashikon përfshirjen e qytetarëve përmes një rezerve vullnetare që do të mbështesë Forca e Sigurisë së Kosovës, si dhe zhvillimin e programeve të edukimit për sigurinë në shkolla, ku të rinjtë do të mësojnë si të reagojnë në situata emergjente dhe kriza.
Modeli i përmendur nga Kurti mbështetet në bashkëpunimin mes institucioneve shtetërore, sektorit privat dhe qytetarëve, duke përfshirë trajnime të rregullta, mobilizim civil, krijimin e strehimeve emergjente dhe rezervave të nevojshme të furnizimeve.
Një nga elementët kryesorë të modelit finlandez është edhe koncepti i njohur si “72 orët”, i cili inkurajon qytetarët të jenë të përgatitur për të përballuar të paktën tre ditë emergjencë pa ndihmë të jashtme. Qëllimi është krijimi i një shoqërie më të përgatitur dhe më rezistente ndaj krizave të mundshme.
Deklaratat e Kurtit vijnë në një kohë kur çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes janë bërë gjithnjë e më të rëndësishme në Evropë, për shkak të tensioneve gjeopolitike dhe sfidave të reja që lidhen me sigurinë rajonale.







