×
Sunday, July 12, 2026

Kurti i hap derën bashkëpunimit për presidentin e ri: Presim që opozita të marrë iniciativë

June 12, 2026


Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me partitë e tjera politike për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit dhe formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.

Pas aktiviteteve për shënimin e 27-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, Kurti deklaroi se bisedimet për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë mund të nisin sapo të përfundojë procesi i numërimit të votave.

Ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, duhet të ketë rolin kryesor në ngritjen e institucioneve të legjislaturës së 11-të.

“Jam optimist se gjërat do të ecin mirë si për konstituimin e Kuvendit, ashtu edhe për formimin e Qeverisë”, u shpreh Kurti.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit të ri, Kurti kujtoi se sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese nevojitet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në procesin e votimit.

“Jemi të gatshëm, të interesuar dhe të vullnetshëm për komunikim dhe bashkëpunim. Nuk ka asgjë të re nga ana jonë”, tha ai, duke kujtuar se LVV-ja kishte bërë më herët oferta për LDK-në dhe PDK-në për të gjetur një zgjidhje lidhur me postin e presidentit.

Kurti shtoi se pret që këtë herë partitë opozitare të tregojnë gatishmëri për dialog, pasi sipas tij Vetëvendosje ka qenë ajo që ka ndërmarrë iniciativa konkrete në muajt e fundit.

Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve të 7 qershorit, LVV-ja kryeson me 42.47% të votave, e ndjekur nga PDK me 21.43%, LDK me 16.96%, AAK me 7.51% dhe Lista Serbe me 6.76%.

Ndërkohë, PDK ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim në funksionalizimin e institucioneve, por përmes një marrëveshjeje politike, ndërsa LDK ka kërkuar që iniciativa për dialog të vijë nga partia fituese. Nga ana tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me Vetëvendosjen.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se synon të shpallë rezultatet përfundimtare më 26 qershor dhe t’i certifikojë ato më 6 korrik, afate që mund të ndryshojnë në varësi të ankesave që mund të paraqiten gjatë procesit.




Comments are closed.