Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për deklasifikimin e dokumenteve që lidhen me krimet e luftës në Kosovë.
Deklarata u bë nga Kalludra e Vogël në Zubin-Potok, ku po zhvillohen gërmime në një lokacion që dyshohet se është varrezë masive.
Kurti theksoi se zbardhja e dokumentacionit është thelbësore për sqarimin e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.
“I bëjmë thirrje edhe një herë BE-së dhe SHBA-së që të ushtrojnë presion për deklasifikimin e këtyre dokumenteve, në mënyrë që të zbardhet e vërteta dhe familjeve të mbi 1.500 personave të pagjetur t’u jepet fund ankthit e dhimbjes, duke u mundësuar varrosjen me dinjitet të më të dashurve të tyre”, deklaroi Kurti.
Autoritetet e Kosovës vijojnë gërmimet në Kalludër të Vogël, ndërsa hetimet synojnë identifikimin e mbetjeve mortore dhe dokumentimin e plotë të rastit.


