Kryeministri Edi Rama ka kundërshtuar deklaratën e motrës së të riut nga Elbasani, të dëmtuar në sy gjatë protestës në Tiranë, për mënyrën se si u mundësua dërgimi i tij për trajtim të specializuar në Itali.
Në një postim në rrjetet sociale, motra e të riut falënderoi personat që, sipas saj, morën iniciativën për ndërhyrjen mjekësore. Ajo u kërkoi portaleve të mos publikonin lajme se kryeministri kishte urdhëruar mbulimin e shpenzimeve.
“E kanë çuar familja, miqtë dhe mbështetësit e familjes tonë dhe jo shteti”, shkroi ajo.
Në përgjigje, Rama deklaroi se iniciativën e kishte marrë personalisht dhe se transporti me avion mjekësor drejt Romës, së bashku me mbulimin e shpenzimeve të trajtimit, ishin mundësuar nga shteti.
“Siç informova më parë, iniciativën për shërbimin e specializuar mjekësor të djalit në Itali nuk e kanë marrë ‘persona’, po e kam marrë unë personalisht dhe vajtja e tij në Romë me avion mjekësor, si edhe mbulimi i shpenzimeve janë mundësuar pikërisht nga SHTETI dhe nga askush tjetër”, shkroi kryeministri.
Rama tha gjithashtu se e kishte takuar të riun në sallën VIP të aeroportit përpara nisjes dhe i kishte uruar shërim të shpejtë.
Ai mohoi se ndërhyrja synonte protagonizëm politik, duke e cilësuar një veprim humanitar. Në të njëjtin reagim, kryeministri përdori termin “dhunues” edhe për të lënduarit që, sipas tij, kishin marrë pjesë në dhunë.
“Aspak për protagonizëm, sepse protagonizmin këto ditë e kanë të gjithin dhunuesit dhe nxitësit e tyre, po për humanizëm, sepse kur pushon marrëzia e gurëve e molotovëve, edhe dhunuesit e lënduar janë qytetarë të këtij vendi që duhen ndihmuar, mjekuar, shëruar”, u shpreh ai.
I riu u dëmtua në sy gjatë protestës së një dite më parë në kryeqytet. Për rastin kanë nisur hetime, ndërsa një punonjës policie është pezulluar pas publikimit të pamjeve që ngrenë dyshime për tejkalim të përdorimit të forcës.


