Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, ka kundërshtuar ashpër planin e FIFA-s për të shitur një pjesë të të drejtave tregtare të lidhura me Kupën e Botës, duke deklaruar se futbolli u përket tifozëve dhe jo investitorëve.
Sipas planit të propozuar, FIFA synon të krijojë një fond investimi që do të zotërojë një pjesë të të drejtave tregtare të Kupës së Botës dhe më pas të shesë një pjesë të tij tek investitorët për rreth 4.2 miliardë dollarë.
Nisma ka shkaktuar reagime të forta, veçanërisht nga UEFA, e cila e kundërshton planin dhe mënyrën se si FIFA po e menaxhon të ardhmen komerciale të kompeticionit më të madh të futbollit.
“Le ta them shumë qartë: futbolli nuk u përket investitorëve. Ai u përket njerëzve që mbushin stadiumet dhe që janë pranë vijës anësore javë pas jave, në shi apo në diell”, shkroi Burnham në platformën X.
Ai shtoi se Kupa e Botës nuk duhet të trajtohet si një produkt financiar.
“Kupa e Botës nuk është një produkt. Është kompeticioni më i madh në sportin botëror dhe nuk ka qenë kurrë e askujt për t’u shitur. Mund ta paraqisni marrëveshjen si të doni, por sapo shet një pjesë të saj, ke shitur edhe parimet”, deklaroi ai.
Nga ana e saj, FIFA argumenton se fondet e siguruara nga kjo marrëveshje do të përdoren për të rritur investimet në futbollin e bazës dhe në futbollin e femrave.
Megjithatë, federatat evropiane të futbollit mbeten të revoltuara, jo vetëm për këtë plan, por edhe për mënyrën se si FIFA ka administruar Kupën e Botës 2026. Ato kanë shprehur gjithashtu pakënaqësi ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, të cilin e konsiderojnë tepër të afërt me presidentin amerikan Donald Trump.
Sipas raportimit të POLITICO, një rol të rëndësishëm në projekt pritet të ketë edhe fondi i investimeve Thrive Capital, i drejtuar nga Josh Kushner, vëllai i Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump.


