Polonia do të marrë një kredi prej 4 miliardë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara për financimin e blerjeve të reja të pajisjeve ushtarake amerikane, në kuadër të përpjekjeve të Varshavës për të forcuar kapacitetet e saj të mbrojtjes.
Marrëveshja parashikon një kredi me vlerë rreth 3.44 miliardë euro përmes programit amerikan të Financimit Ushtarak të Huaj (FMF).
Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, bëri të ditur se fondet do të përdoren për blerjen e pajisjeve ushtarake nga SHBA-ja, përfshirë tanket Abrams, avionët luftarakë F-16 dhe helikopterët Apache.
Marrëveshja e re është e gjashta e Polonisë në kuadër të programit FMF, sipas zyrtarit amerikan Thomas DiNanno.
Me kredinë e fundit, vlera e përgjithshme e financimeve amerikane të siguruara nga Polonia përmes këtij mekanizmi arrin në rreth 17.2 miliardë euro.
Varshava ka përshpejtuar ndjeshëm modernizimin e forcave të saj të armatosura gjatë viteve të fundit, duke investuar në sisteme të reja armatimi dhe duke rritur shpenzimet për mbrojtjen.
Polonia, anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Europian, është gjithashtu një prej mbështetësve kryesorë të Ukrainës në luftën kundër pushtimit rus.
Qeveria polake e konsideron Rusinë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare, ndërsa forcimi i ushtrisë dhe zgjerimi i bashkëpunimit ushtarak me Shtetet e Bashkuara janë kthyer në elementë kryesorë të strategjisë së mbrojtjes së vendit.


