Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se regjimi iranian ndodhet pranë “kolapsit”, duke e cilësuar rrëzimin e tij si objektivin kryesor të Izraelit në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të përshkallëzohen.
Netanyahu i bëri deklaratat gjatë një vizite te trupat izraelite të vendosura në Siri, në anën siriane të malit Hermon, pranë kufirit me Izraelin. Ai shoqërohej nga ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz.
“Ka ende punë për t’u bërë. Misioni kryesor është rrëzimi i regjimit terrorist të Iranit”, deklaroi Netanyahu përpara ushtarëve.
Kryeministri izraelit pretendoi se vendi i tij është tashmë shumë pranë realizimit të këtij objektivi dhe se strukturat dhe grupet e lidhura me Teheranin në rajon do të dobësohen përfundimisht.
“Kemi shumë punë përpara, por do t’ia arrijmë qëllimit. Jemi shumë afër. E dimë se i gjithë ky bosht përfundimisht do të shembet”, u shpreh Netanyahu.
Deklaratat e tij përbëjnë një tjetër ashpërsim të retorikës së Izraelit ndaj udhëheqjes iraniane dhe vijnë në një periudhë tensionesh të larta në rajon.
Përplasjet dhe kërcënimet mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara kanë shtuar shqetësimet për një zgjerim të mëtejshëm të konfliktit dhe për pasojat që një përshkallëzim i ri mund të ketë për sigurinë në Lindjen e Mesme.
Netanyahu ka përsëritur se Izraeli do të vazhdojë veprimet kundër Teheranit dhe aleatëve të tij, ndërsa deklarata se rrëzimi i regjimit iranian përbën “misionin kryesor” sinjalizon një qëndrim edhe më të fortë të qeverisë së tij ndaj Iranit.


