×
E shtunë, 16 Janar, 2021

Kovaçev: Bullgaria do ta mbështesë integrimin europian të Maqedonisë së Veriut

8 Dhjetor, 2020

Deputeti bullgar që është edhe nënkryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, thotë se komunizmi nuk është e keqja më e vogël nga të gjitha regjimet tjera totalitare dhe ka shkaktuar pasoja shumë të rënda për miliona njerëz. Rrënjët e kontestit të sotëm Shkup-Sofje ai i gjenë pikërisht në këtë periudhë historike të qindjvjetëshit të kaluar:

  • Kryeministri i Bullgarisë deklaroi para një muaji se ‘duhet ta bëjmë historinë të jetë urë e miqësisë e jo urë të shembur nëpër të cilën Maqedonia nuk mund të kalojë’. Pas një muaji doli e kundërta: Çfarë ndodhiqë Sofja zyrtare të vë veto për çeljen e negociatave për anëtarësimin me të drejta të plota të Maqedonisë në Bashkimin Evropian?

Kovaçev: Unë mendoj se nuk mund të flasim për veto – bëhet fjalë për anulim të vendimit për fillim të negociatave. Bullgaria gjithmonë e ka mbështetur dhe do ta mbështesë integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut. Kemi qenë ndër të parët që e ratifikuam marrëveshjen për anëtarësim në NATO, që Maqedonia e Veriut të mund të jetë jashtëzakonisht e sigurtë në aspekt gjeo-strategjik, si edhe Shqipëria në Aleancën Veri-Atlantike. Bullgaria e ka nënshkruar Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Maqedoninë e Veriut dhe neve na vjen keq që ajo realizohet shumë ngadalë. Ky është problemi bazë. Historia, siç thatë edhe ju, duhet të na bashkojë, së bashku të na bëjë më të fortë, sepse ajo ka qenë histori e përgjithshme. Në shekullin XIX dhe në fillim të shekullit XX njerëzit nuk janë ndarë, shumica e popullsisë atëherë është vetëpërcaktuar si bullgare dhe ka folur në gjuhën bullgare. Këto janë burimet historike, ashtu siç është e shkruar në Marrëveshje. Komisioni duhet të punojë për pranimin e fakteve ashtu siç janë të shkruara në burimet historike të epokës përkatëse. Ky nuk është kontest banal historik, është shumë i rëndësishëm për realitetin aktual, nuk duhet të ketë urrejtje, nuk duhet të ketë ndarje, në BE duhet të jemi bashkë, të bashkuar, jo me urrejtje për njëri-tjetrin, për shkak se ne ose ju ndjekim njëfarë propagande nga koha e komunizmit në Jugosllavi, ose nga Bullgaria komuniste gjatë kohës së Zhivkovit. Kjo duhet t’i përkasë të kaluarës, por ne duhet ta lexojmë historinë dhe të bashkohemi rreth burimeve historike të epokave përkatëse. Bullgaria është mbështetësi më i madh dhe duhet të jetë kështu për integrimin evropian dhe euroatlantik edhe të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë. Ne, nënkuptohet që e mbështesim Shqipërinë për fillim të negociatave që tani dhe llogarisim në faktin që duhet ta mbështesim në mënyrë sa më të shpejtë edhe Maqedoninë e Veriut.

  • Megjithatë, nga çlirimi, përkatësisht nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, kemi një popull që quhet popull maqedonas që ishte element konstitutiv i ish-federatës jugosllave!

Kovaçev: Ky nuk është kurrfarë problemi: realitetet bashkëkohore janë të atilla që ka shumicë të njerëzve që vetëpërcaktohen si maqedonas etnikë, dhe gjuhën e vetëpërcaktojnë si maqedonase. Problemi nuk është ky. Shumë shpesh shoh si qarqe të caktuara në Maqedoninë e Veriut përpiqen që ta prezantojnë pozicionin e Bullgarisë sikur ajo nuk i pranon realitetet bashkëkohore dhe identitetin bashkëkohor, ose se jemi mohues të identitetit bashkëkohor të njerëzve që vetëpërcaktohen si maqedonas etnikë. Kjo është e drejtë themelore e njeriut dhe nuk është çështje e Bullgarisë ose e kujtdo tjetër që ta kontestojë këtë të drejtë. Absolutisht është e gabuar dhe për fat të keq me qëllime politike të atyre që e përhapin – që të mos ketë mirëkuptim në Bullgari. Të vazhdojë ajo urrejtje nga e kaluara. Duhet ta tejkalojmë, kjo është mënyra evropiane, t’i tejkalojmë dallimet, kjo është ideja e madhe e Shumanit dhe Monesë, që pas Luftës së Dytë Botërore të tejkalohet urrejta dhe pasojat e luftës, nga regjimet totalitare, nacional-socialiste, fashiste dhe komuniste, pas rënies së komunizmit. Komunizmi nuk është e keqja më e vogël nga të gjitha regjimet tjera totalitare dhe ka shkaktuar pasoja shumë të rënda për miliona njerëz.

  • Si i komentoni analizat në Shkup sipas të cilave kjo që po ndodhë po bëhet për shkak të zgjedhjeve të afërta tek ju dhe për mbulimin e skandaleve të brendshme, për shtyrjen në plan të dytë të demonstratave në të cilat kërkohet prani më e madhe e shtetit të së drejtës?

Kovaçev: Kjo është jashtëzakonisht joserioze dhe për të ardhur keq në qoftë se dikush përpiqet dhe bën analiza të tilla qesharake. Pozicioni i Bullgarisë është i njëjtë tashmë 30 vite. Këtu nuk ka asnjë ndryshim dhe asnjë palë zgjedhje nuk kanë absolutisht asnjë rëndësi. Në mes tjerash të gjitha partitë politike që marrin pjesë në zgjedhje në Bullgari, edhe ato të opozitës dhe ato në pushtet, edhe presidenti Radev kanë mendim të njëjtë, kështu që ai pohim i dikujt në Shkup që dëshirojnë të theksojnë se gjithë kjo është parazgjedhore, është jashtëzakonisht joserioz dhe qesharak.

  • Pohimi nga pala bullgare se maqedonasit janë bullgarë të transformuar nga komunizmi jugosllav, nga kjo anë e kufirit, saktësisht në Shkup, përjetohet edhe si pretendim territorial i Bullgarisë fqinje!

Kovaçev: Ky është interpretim shumë i njëanshëm, i çuditshëm dhe jashtëzakonisht joserioz, i papërgjegjshëm. Absolutisht nuk i përgjigjet asnjë realiteti. Bullgaria e para e ka njohur tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Maqedonisë së Veriut, menjëherë pasi Maqedonia e Veriut e shpalli pavarësinë e saj nga Jugosllavia, menjëherë ofruam ndihmë, dhamë teknikë ushtarake, tanke, që të mos ndodhë që Milosheviqi të fillojë luftë si në Slloveni dhe në Kroaci, edhe në Maqedoninë e Veriut. Në vitin 2001 Bullgaria qëndroi kategorikisht pas tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Maqedonisë së Veriut, presidenca jonë e parë ka qenë e fokusuar në bindjen e partnerëve tanë evropianë se Maqedonia e Veriut dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, duhet të jenë anëtare të BE-së. Të parët ratifikuam për NATO-n. Kjo është jashtëzakonisht joserioze dhe tregon se ata që i përhapin kanë qëllime jo të shëndosha vazhdojnë urrejtjen ndaj Bullgarisë. Më lëndon fakti që dikush shërbehet me komente të tilla që do t’i quaja gënjeshtra.

  • Ka mendime sipas të cilave me përdorimin e vetos, Bullgaria në fakt i minon vlerat dhe detyrimet evropiane. Ju jeni eurodeputet!

Kovaçev: Plotësisht e kundërta, absolutisht në pajtueshmëri me vlerat evropiane. Standardet evropiane bazohen në drejtësinë, të vërtetën dhe mosurrejtjen. Ne dëshirojmë ta tejkalojmë ndarjen, me qasje drejt së vërtetës. Ky është qëllimi evropian. Dëshirojmë që së bashku në BE të jemi si më të afërtit, fqinj dhe miq të mirë, të cilët kanë pasur të kaluar të përbashkët. Dhe do të jemi sërish së bashku në BE si qytetarë evropianë. Kjo duhet të jetë e ardhmja, kështu duhet të jetë, ky është qëllimi evropian, jo urrejtje, jo gënjeshtra, jo propagandë, jo falsifikim i historisë, sado që të jetë e vështirë kjo. Ne e kuptojmë sa i vështirë është ky proces, edhe në Bullgari, me imponimin dekadësh të një propagande komuniste e cila nuk përshtatet me faktet historike dhe të vërtetën. Edhe në ish-Jugosllavi ku gjithashtu është imponuar një interpretim i historisë që nuk u përgjigjet fakteve historike dhe të vërtetës, i vënë në dukje burimet nga epokat përkatëse. Çfarë është më e keqja, kjo bën që gjeneratat e sotme tani të urrehen, të ketë urrejtje në këtë moment. Tani kjo duhet të tejkalohet. Ne nuk duhet t’i përsërisim gjërat që na ndajnë, por ato që na bashkojnë. Duhet t’i kundërshtojmë në mënyrë kategorike, të dyja palët, njerëzit që përhapin urrejtje. Duhet të veprojmë me vlerë dhe respekt ndaj të drejtës së njeriut që çdokush të vetëpërcaktohet ashtu si dëshiron. Këtë e kemi theksuar shumë herë, unë e kam thënë qindra herë – është e drejtë e njeriut dhe ne luftojmë për atë të drejtë identiteti, që çdo njeri i gjallë të vetëpërcaktohet ashtu si dëshiron, si maqedonas etnik krenar, kjo është e drejtë e njeriut, kuptohet. Në të njëjtën kohë është e drejtë e njeriut, ndërsa sipas meje edhe obligim, të mos e ndryshojmë dhe të mos e falsifikojmë historinë. Ta ruajmë dinjitetin e njerëzve që kanë jetuar para nesh dhe të cilët janë vetëpërcaktuar si bullgarë. Kjo në asnjë mënyrë nuk e ndryshon identitetin bashkëkohor të njerëzve që vetëpërcaktohen si maqedonas. Kjo na bashkon edhe më shumë dhe na bën më të fortë. Le të bëhemi si Gjermania dhe Austria, si Greqia dhe Qipro ose Rumania dhe Moldavia, ta ndihmojmë njëri-tjetrin në gjithçka, të jemi të afërt, më e rëndësishmja të mos urrehemi.

  • Po ama kryeministri ynë, Zoran Zaev, këtyre ditëve foli për median bullgare duke i emërtuar dy popujt si ‘popuj vëllezër’, por prapëseprapë diçka nuk është në rregull, do të thoja, në marrëdhëniet mes dy vendeve. Zoti Kovaçev, a mundeni që për teleshikuesit tanë me pak fjalë, t’i shpjegoni pozicionet e palës suaj bullgare: Cilat janë mospajtimet me palën maqedonase, me Shkupin zyrtar?

Kovaçev: Në Bullgari ekziston zhgënjim nga fakti që Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që u nënshkrua në ditën e festës së Ilindenit në vitin 2017, nuk plotësohet, se Komisioni historik nuk punon, se nuk ka asnjë përparim në raport me librat shkollorë, me interpretimin, siç është e shkruar në Marrëveshje – të historisë sonë të përgjithshme, por jo e ndarë, jo ndonjë historie tjetër. Ajo ka qenë e përgjithshme sepse atëherë shumica e njerëzve nuk kanë qenë të ndarë, as në Kukush, as në Manastir, as në Ohër, as në Shkup dhe janë ndjerë në mënyrë të njëjtë, pa marrë parasysh në cilën anë të kufirit aktual kanë jetuar. Kjo është dashur të ndodhë në vitet e fundit, por për fat të keq nuk ka ndodhur dhe prej këtu del edhe ky problem që e kemi tani dhe të cilin duhet ta zgjidhim shumë shpejt që të mund të vazhdojmë së bashku në familjen tonë evropiane, me dallime të tejkaluara nga e shkuara. E përsëris, unë nuk shoh asnjë problem të veprohet ashtu siç është e caktuar në marrëveshje, me burime historike nga epokat përkatëse. Ashtu siç ka qenë, siç janë vetëpërcaktuar njerëzit atëherë, ashtu siç janë ndjerë, në gjuhën në të cilën kanë folur, në të cilën është ligjëruar atëherë nëpër shkollat bullgare, në të gjithë Maqedoninë në Egzarhinë bullgare – kështu të prezantohet edhe para gjeneratave të reja, që të mos urrehemi dhe të mos e vazhdojmë propagandën e kohës së komunizmit.

  • Në Shkup pohohet se urrejtja vjen pikërisht nga pala bullgare!

Kovaçev: Kjo është joserioze, pak më parë sqarova se Bullgaria gjithmonë i ka ndihmuar dhe do të vazhdojë t’i ndihmojë Maqedonsië së Veriut, nuk mund të pritet asnjë urrejtje nga Bullgaria. Mund të supozoni se pasardhësit e miliona refugjatëve nga Maqedonia e Egjeut dhe e Vardarit, të cilët kanë gjetur strehë, pas luftërave me grekët dhe me serbët, nga okupimi i ashpër serb i Maqedonisë. Ata ndoshta janë 20% e popullsisë në Bullgari, ata ndoshta janë mbi 2 milionë pasardhës të bullgarëve maqedonas të Egjeut dhe të Vardarit, të cilët tani jetojnë në Bullgari. Ne jemi vërtetë të afërt, ne jemi vëllezër dhe motra në të dyja anët e kufirit, është absurde të flitet për urrejtje nga ana e Bullgarisë, e cila për lirinë e Maqedonisë ka dhënë qindra mijëra viktima, në shumë luftëra. Janë të panumërt emrat e revolucionarëve, rilindasve, të cilët e kanë dhënë jetën e tyre për Maqedoninë.

  • Desha t’ju, pyes: si ishte e mundur që fill pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në regjistrimin e parë të pasluftës, në Bullgari të ketë 150 mijë maqedonas dhe sot ata të zhduken?

Kovaçev: Ju e përsërisni propagandën e atëhershme komuniste. Atëbotë edhe Georgi Dimitrov ka qenë në Kominternë dhe së bashku me Titon ende kanë qenë në marrëdhënie të mira, para se Tito t’i prishë dhe t’i ndërpresë lidhjet me Stalinin. Komunistët atëherë kanë pasur ide për bashkim, kanë punuar për Federatë ballkanike, me forcë, për realizimin e asaj ideje. Kështu që ai regjistrim është një vendim i komunistëve bullgarë. Sipas logjikës së njëjtë, a mund t’ju pyes çfarë ka ndodhur me shumicën e bullgarëve që kanë banuar në Maqedoninë e Vardarit dhe të Egjeut? Në të gjitha regjistrimet, të gjitha regjistrimet ndërkombëtare, arkivat e Perandorisë Osmane, tregojnë se shumica e njerëzve që kanë jetuar në këtë hapësirë gjeografike, në territor, janë bullgarë maqedonas. Të tjerët nënkuptohet kanë qenë shqiptarë, turq, grekë, vllehë, një pjesë e vogël serbë dhe të gjithë janë maqedonas. Të gjithë janë maqedonas, edhe shqiptarët janë maqedonas, edhe grekët janë maqedonas, edhe bullgarët janë maqedonas. Të gjithë që jetojnë në hapësirën gjeografike të Maqedonisë.

  • A keni përgjigje për pohimin, vlerësimin, e historianit bullgar Çavdar Marinov i cili citohej këto ditë në Shkup, sipas të cilit, duke u kërcënuar me veton e vet për moslejimin e aderimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, ‘Bullgaria në fakt po demonstron nivelin mizor të politikës, diplomacisë dhe shkencës së vet mejnstrim’?

Kovaçev: Ju lutem, as nuk e di, as nuk më intereson për kë flisni. Nuk e kam ndërmend të komentoj, nuk e di për kë flisni, nuk kam kurrfarë pasqyre!

  • Mund të më thoni si ka për të përfunduar ky kontest, ky konflikt?

Kovaçev: Me zgjidhje pozitive për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut, të vëllezërve dhe motrave tonë më të afërt dhe me tejkalim të përbashkët, pa urrejtje, pa falsifikime. Pa propagandë, në bazë të vlerave evropiane të vazhdojmë së bashku përpara, historia të në afrojë, sepse ka qenë e përgjithshme. Tani ka realitet bashkëkohorë, ka identitet etnik maqedonas, njerëzit e identifikojnë gjuhën e tyre si maqedonase dhe kjo nuk është problem. Bullgaria dëshiron miqësi dhe dashuri. Bullgaria nuk dëshiron urrejtje. Dhe, të gjitha tezat, argumentet për të cilat më pyetët pak më parë, në fakt synojnë të mbjellin armiqësi, të gjitha tezat e liderëve politikë të cilët synojnë të keqpërdorin temën dhe të pengojnë arritjen e zgjidhjes evropiane. Zgjidhje evropiane është e vërteta e jo urrejtja. Ata nuk punojnë në interes të Maqedonisë dhe të qytetarëve maqedonas.

  • Megjithatë, fitohet përshtypja se për këto çështje historike më shumë sikur po flasin politikanët sesa historianët!

Kovaçev: Në analizëm time rezulton se tash një vit Komisioni dypalësh nuk po punon. Në Marrëveshje thuhet se Komisioni duhet duhet të bashkohet rreth fakrteve historike duke u mbështetur në periudhat përkatëse. Përse u desh një vit të ky komision të mos punojë? Ky është një lëshim I madh për shkak se u humb shumë kohë. Ju keni të drejtë, duhet që Marrëveshja të përmbushet sa më shpejt – për historinë tonë të përgjithshme dhe të mbështetur në fakte përkatëse, në mënyrë që të ndryshohen planprogramet mësimore në mënyrë që të mos ketë ligjërime jashtëzakonisht negative për bullgarët se si ata janë tatarë, se bullgarët janë asimilues e kështu me radhë.

  • Duke marrë parasysh se ky konflikt, ky contest, me gjasë ka për të zgjatur, e përjashtoni mundësinë e përfshirjes edhe të ndonjë pale të tretë, përkatësisht të kemi një Metju Nimic të ri i cili ia doli të zgjidhë kontestin me Athinën, me Greqinë?

Kovaçev: Mendoj se Bullgaria dhe Maqedonia bënë një hap shumë të guximshëm në vitin 2017 me firmosjen e Marrëveshjes. Askush nuk na qortoi, ndonjë pale e tretë nuk kërkoi prej nesh. Ne, të dyja palët, e nënshkruam atë Marrëveshje dhe konsiderojë se ai guxim i vitit 2017 ka për të vazhduar dhe nuk ështe domosdoshme që dikush tjetër të na jetë mësues e të na thotë se çfarë duhet të bëjmë dhe si ta bëjmë. Vetëm duhet të kemi kurajë dhe guxim dhe të mos u japim rëndësi atyre forcave politike të cilat po përçapen të pengojnë hapërimin e Maqedonisë drejt Evropës dhe punojnë për interesa të familjeve të tjera gjeopolitike.

  • Në Shkup, zyrtarët I mbanë shpresa se pas zgjedhjeve ke ju, do të gjenden forca për kapërcimin e problemit!

Kovaçev: Ju po thoni diçka për të dytën herë. Unë ju thash: Nuk kanë kurrafë rëndësi për këtë zgjedhjet në Bullgari. Nuk kanë absolutish kurrfarë rëndësie! As Partia Socialiste Bullgare ka ndonjë pozicion tjetër, as Presidenti Radev, as ndonjë parti tjetër politike. Unë nuk e kuptoj se përse po përsëritet do të thoja ky pohim se zgjedhjet në Bullgari kanë ndonjë domethënie për ndryshimin e pozicionit të shtetit bullgar. Zgjedhjet absolutisht nuk kanë kurrfarë rëndësie.

  • Mendoni se edhe ju do të jeni përgjegjës nëse zvarritet integrimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, do të mbani dhe ju përgjegjësi për shkak se Ballkani është – Ballkan?

Kovaçev:  Përgjegjësi mbajnë absolutisht të gjithë. Përgjegjësi mbajnë të gjithë: Marrëveshjet duhet të respektohen dhe kjo duhet të bëhet shpejt. Ne shprehim keqardhje për shkak se shumë here kemi paralajmëruar se marrëveshja duhet të zbatohet me përmbajtje. Natyrisht të ketë sa më shumë kontakte, edhe ekonomike, edhe kulturore, dy palët të punojnë për ngritjen e infrastrukturës, të ketë linjë ajrore Shkup-Sofje të cilën tani nuk kemi dhe lidhjet tona nuk janë të mira. Duhet t’i përmirësojmë dhe duhet të ndërtohet mirëbesimi dhet’I kundërvihemi urrejtjes. Kjo është themelorja. Gjeneratat e reja sidomos nuk duhet të urrehen, duhet të ketë sa më shumë kontakte mes tyre dhe të mos afirmohet vetëm negativja nga historia komuniste çfarë ka ndodhur për një kohë goxha të gjatë, për shkak se kjo mund të sjellë problem edhe më të mëdha.

  • Zoti Kovaçev, faleminderit!

Kovaçev: Faleminderit edhe nga unë. Do dëshiroja t’i përshëndets të gjithë qytetarët maqedonas, pavarësisht nga identityeti i tyre etnik. Veçmas dëshiroj t’i përshëndes miqtë tanë shqiptarë!/ kdpolitik.com

Eunew.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për