Në një reagim direkt përmes rrjeteve sociale, kryeministri Rama ka folur sërish për pagat e gjyqësorit ku thotë se atmosfera e krijuar është tepër shqetësuese. Ai thotë se pavarësia e gjyqësorit ka rrëshqitur në papërgjegjshmëri. Burimi është “kuturisja” për të marrë një vendim arbitrar për pagat e gjyqësorit duke kërkuar që Thesari i Shtetit të hapë derën, tha Rama.
“Dy shëmbëlltyrat e anës së errët të medaljes së reformës në drejtësi, dy trupa të mbingarkuara me njerëz, paga, shpenzime, por me një produktivitet që lë shumë për të dëshiruar në aspektin e misionit që kanë si trupa qeverisëse të sistemit të drejtësisë që është i pavarur, jo më në letër, por në realitetin faktik të Shqipërisë ku pavarësia aq sa ka sjellë të mira, aq edhe ka sjellë sfidën e madhe të rrëshqitjes në papërgjegjshmëri, por nuk dua të hyj në këtë temë. Është temë komplekse, është e duhura, koha në dispozicion për të transformuar rrënjësisht dhe ngritur një sistem drejtësie, ka qenë e shkurtër sepse këto janë ndryshime epokale dhe ky ndryshim epokal ka nisur.
Dua të them vetëm sesa shqetësuese, sa e shëmtuar, sa vulgare është atmosfera e krijuar nga një konflikt pushtetesh dhe nga një barrikadim i atij pushteti të pavarur, kushtetues që duhet të garantojë barazinë para ligjit për të gjithë e mbi të gjitha mbi vetveten, e mbi të gjitha përtej gërmës së ligjit të garantojë një shembull. Kur vjen puna që del nga salla e gjyqit dhe është i organizuar në shoqata për t’i dhënë zë shqetësimeve të trupës në publik. Këtu flasim për një tjetër dimension dhe është i rëndësishëm për shembullin që jepet. Janë një palë që kanë këtë interes.
Dua ta nis aty ku e fillova, te këto dy trupa këshillash, dy maja, një majë me dy trupa të piramidës së gjyqësorit. Këta burra dhe gra që paguhen jo pak dhe që janë aty për të administruar punët e gjyqësorit, jo për të bërë drejtësi, për të administruar proceset që deri dje i administronte kuvendi, politika dhe tani janë në pavarësinë e tyre të plotë. Si mundet që gjëja e parë që bëmë u kuturisëm të marrim një vendim në mes të verës dhe të nxjerrim një urdhër që është zanafilla e këtij konflikti, pagat janë këto dhe Thesari i Shtetit të hapë derën. Le të themi se kanë të drejtë, por le të themi, kjo është mënyra, rruga, shembulli, këtë ju mësojmë ne, të tërë së bashku, njerëzit e drejtësisë, qytetarëve shqiptarë? Kështu kërkohet e drejta? Në mënyrë të njëanshme? Pa ezauruar asnjë nga hapat e tjerë? ne jemi përfaqësues apo 3 shtete në konflikt? Çfarë është Shqipëria? Çfarë janë këto pushtete? Çfarë ndodh këtu? Si është e mundur që nuk hidhet hapi i parë normal? Kërkohet një kontakt, ulet njeriu në tavolinë, njerëzit që jetojnë me përgjegjësinë e një shteti”, shprehet kryeministri.


