×
Wednesday, December 11, 2024

Kosova mes ritmit energjik amerikan dhe përçapjeve të BE-së

February 16, 2020


Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, mblodhi të dielën në një takim joformal përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel. Takimi po mbahet në prag të Konferencës Ndërkombëtare të Donatorëve të së hënës të organizuar nga Bashkimi Evropian për të mbështetur Shqipërinë në përballjen me pasojat e tërmetit të nëntori të vitit të kaluar.

Në takimin e së dielës po marrin pjesë edhe udhëheqësit e Komisionit Evropian është i pari për presidentin Michels që kur mori detyrën.

BE-ja pritet të propozojë përfaqësues të posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, pritej që të hënën në takimin e ministrave të Jashtëm të bllokut, të hedhë propozimin për emërimin e një përfaqësuesi të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, përkatësisht për bisedimet Kosovë – Serbi. Por, të dielën ai tha se kjo mund të ndodhë më vonë.

Ende nuk është e qartë se kush mund të jetë ai, por emri më i përmendur është ai i ministritë të Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak.

Zoti Borrell tha se në atë post duhet të jetë “dikush që e njeh rajonin”, ndërsa ministri Lajçak as nuk e mohoi e as nuk e pohoi një mundësi të tillë.

Propozimi duhet të miratohet nga të gjitha vendet e bllokut mes të cilëve ka rezerva rreth zotit Lajçak, i cili sikurse zoti Borrell, ish ministër i Jashtëm i Spanjës, vjen nga një prej pesë vendeve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.



Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, aspirojnë integrimet evropiane, por tash për tash ndodhen në faza të ndryshme të këtij procesi, ndërsa kusht i padiskutueshëm është zgjidhja e problemeve dypalëshe. Më i mprehti mes këtyre problemeve është ai i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një proces bisedimesh i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian i filluar që në vitin 2011 bëri që palët të nënshkruajnë një gamë të gjerë marrëveshjesh, por pa siguruar një normalizim mes tyre. Këto bisedime janë pezulluar që nga vjeshta e vitit 2018, kur qeveria e Kosovës vendosi tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve për normalizim marrëdhëniesh me Kosovës me heqjen e këtyre tarifave.

Fillimi i këtij viti shënoi një periudhë të re përpjekjesh më të përqendruara amerikane për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Duke u ndjerë i lënë anash, Bashkimi Evropian po përpiqet të sigurohet se do të luajë rolin e tij në proces dhe në këtë kuadër ka paralajmëruar edhe mundësinë e emërimit të një përfaqësuesi të posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi sipas modelit amerikan.

I dërguari i Posaçëm i presidentit Donald Trump, Richard Grenell, në më pak se një muaj siguroi nënshkrimin e dy marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për rivendosjen e linjës ajrore, linjës hekurudhore dhe autostradave ndërmjet dy vendeve.

Marrëveshja e dytë u nënshkrua në Munih në praninë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të cilët e vlerësuan atë si një hap të rëndësishëm për paqen në rajon.

Në Serbi, përfaqësues të opozitës thanë se me këtë nënshkrim presidenti Vuçiç, dëshmoi se është i gatshëm të njohë pavarësinë e Kosovës.

Pak kohë pas marrëveshjes kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nënshkruesit e saj nuk ishin të autorizuar nga qeveria e tij që nuk ishte pjesë e negociatave , por nënvizoi se lidhjet, autostradat e hekurudhat, janë të nevojshme.

Përfaqësues të opozitës mirëpritën marrëveshjet, ndërsa kritikuan qasjen e kryeministrit Kurti. Ish kryeministri Ramush Haradinaj tha se deklarata e kryeministrit “dëshpëron edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke dhënë shenja se Kosova nuk është unike ndaj përkrahjes së tyre”.

Partia Demokratike e Kosovës, kritikoi të dielën edhe paraqitjen e kryeministrit Kurti në Munih ku ai mori pjesë në një debat ku ishte i pranishëm edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Në debat kryeministri Kurti përveç tjerash kritikoi qasjen e deritashme të palëve ndaj bisedimeve si dhe nismën për atë që është quajtur mini Shëngeni Ballkanik. Ai tha se Bashkimi Evropian do të duhej të organizonte një “Mini Marshall Plan” për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, sipas modelit të fondit amerikan të pas Luftës së Dytë Botërore për të ndihmuar rimëkëmbjen e shteteve të Evropës.

“Të kërkosh ta trajtosh Serbinë në përkrahje, njëjtë si vendin tënd, është si të pranosh ta bësh agresorin – Serbinë të barabartë me viktimën – Kosovën”, shkroi të dielën në një reagim Partia Demokratike e Kosovës.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës e cila të hënën shënon përvjetorin e dymbëdhjetë të shtetësisë së saj të shpallur me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments