KFOR nis tërheqjen graduale nga ura e Ibrit, përgjegjësitë kalojnë te Policia e Kosovës

17 Aug 2026 08:54
Shpërndaje:

KFOR ka nisur tërheqjen graduale të pranisë së tij të përhershme në urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke argumentuar se vendimi është marrë për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.

Për herë të parë pas shumë vitesh, karabinierët italianë hoqën tendat dhe pikën e kontrollit në anën veriore të urës, ndërsa misioni i NATO-s bëri të ditur se trupat mund të rikthehen nëse situata e kërkon.

“Pasi procesi të përfundojë, KFOR-i do të vazhdojë të mbajë një prani të fuqishme në Mitrovicën e Veriut dhe në gjithë veriun e Kosovës, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet”, deklaroi KFOR.

Reklamë Ola

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se ka nisur transferimi i përgjegjësive nga KFOR-i te Policia e Kosovës, proces që pritet t’i hapë rrugën rihapjes së urës kryesore për qarkullim.

Sa i përket Manastirit të Visokë Deçanit, KFOR konfirmoi se Policia e Kosovës do të integrohet gradualisht në strukturat që garantojnë sigurinë e objektit fetar.

Reklamë InterMedika

Vendimi vjen pas një sërë incidentesh në veri të Kosovës, përfshirë shembjen e 17 shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit/Gazivodës dhe pretendimeve të banorëve serbë për përdorim të dhunës nga Policia e Kosovës gjatë kontrolleve.

Analistët kanë vlerësime të ndryshme për situatën. Zoran Saviç nga organizata joqeveritare “Aktiv” në Mitrovicën e Veriut thotë se, megjithëse statistikat tregojnë përmirësim të sigurisë, besimi i qytetarëve serbë ndaj Policisë së Kosovës mbetet i ulët.

“Nëse pyet njerëzit në rrugë se si ndihen dhe nëse kanë besim te institucionet, veçanërisht te policia, merr një pasqyrë krejt tjetër”, tha ai.

Nga ana tjetër, profesori i Shkencave Politike në Prishtinë, Nexhmedin Spahiu, vlerëson se Policia e Kosovës ka treguar profesionalizëm në veri dhe se rihapja e urës nuk përbën më rrezik për sigurinë.

Sipas tij, pas ngjarjeve në Banjskë dhe vendosjes së kontrollit të institucioneve të Kosovës në veri, ura nuk ka më funksion si vijë ndarëse mes dy palëve.

Ndërkohë, gazetari Andrija Lazarević, themelues i medias Zubin Potok INFO, vlerëson se momenti nuk është i përshtatshëm për uljen e pranisë së KFOR-it apo rihapjen e urës, duke përmendur shqetësimet e banorëve serbë për sigurinë dhe hetimet e vazhdueshme ndaj tyre.

Pas njoftimit të KFOR-it, Lista Serbe kërkoi një takim urgjent me komandantin e misionit, takim që u zhvillua menjëherë, ndërsa nuk ka bërë të ditur publikisht detajet e diskutimeve.