Deputeti i zgjedhur shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka kërkuar që qeveria e re në Beograd të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës dhe t’i ndërtojë marrëdhëniet mbi realitetin e pavarësisë së saj.
Duke folur për mediet, Kamberi tha se mbetet për t’u parë nëse Lista Studentore do të ruajë qëndrimet e deritanishme apo do të ndjekë një kurs tjetër pas formimit të qeverisë.
Sipas tij, çështja e Kosovës vazhdon të shfrytëzohet politikisht në Serbi, ku mbështetja e elektoratit nacionalist luan rol të rëndësishëm në zgjedhje.
“Në Serbi nuk mund të fitosh zgjedhje pa pasur ndihmën edhe të asaj pjese të elektoratit nacionalist. Dhe tema për Kosovën është një ndër temat e preferuara. Do të shohim pasi të krijohet qeveria e re, a do ta mbajnë vijën e njëjtë apo do të ketë ndryshim në qasje”, deklaroi ai.
Kamberi vlerësoi se akademikët dhe profesorët që përfaqësojnë Listën Studentore duhet ta kuptojnë se pretendimet e Aleksandar Vuçiçit ndaj Kosovës janë të parealizueshme.
“Do të duhej të ndryshonin kursin politik”, u shpreh ai, duke theksuar: “Kosova është shtet i pavarur. Dhe në atë realitet të ndërtojë edhe raporte me Kosovën”.
Deklaratat vijnë ndërsa në Serbi pritet formimi i qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit.
Beogradi vijon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008, ndërsa normalizimi i marrëdhënieve mbetet në qendër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.


