Vendet e Bashkimit Evropian nuk kanë arritur marrëveshje për t’i ofruar Kanadasë statusin e “anëtares së asociuar”, vetëm dy ditë përpara samitit mes palëve në Montreal.
Sipas dy diplomatëve evropianë të cituar nga POLITICO, Gjermania është ndër të paktën katër vendet që kundërshtuan të martën miratimin e një deklarate ku përfshihej ky formulim. Berlini po udhëheq përpjekjen për heqjen e plotë të termit nga teksti.
Pas mungesës së marrëveshjes në takimin e ambasadorëve të hënën, vendet anëtare përdorën të martën të ashtuquajturën “procedurë të heshtjes”. Sipas saj, teksti do të miratohej automatikisht, pa mbledhje apo votim formal, nëse asnjë shtet nuk kundërshtonte deri në mesditë.
Kundërshtimet e paraqitura përpara afatit e ndaluan miratimin. Çështja do të rikthehet të mërkurën në takimin e ambasadorëve të BE-së, një ditë përpara nisjes së samitit.
Ideja e “anëtarësimit të asociuar” iu propozua kryeministrit kanadez Mark Carney nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë fjalimit të saj për gjendjen e Unionit në Strasburg muajin e kaluar.
Katër diplomatë evropianë i thanë në atë kohë POLITICO-s se von der Leyen nuk ishte konsultuar paraprakisht me kryeqytetet e vendeve anëtare.
Në samitin e së enjtes dhe së premtes do të marrin pjesë von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian António Costa, përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme Kaja Kallas dhe dhjetë komisionerë evropianë.
Takimi me Carney synon thellimin e bashkëpunimit në tregti, energji, arsim dhe çështjet e Arktikut, ndërsa formulimi për statusin e ri të Kanadasë mbetet ende i pazgjidhur.


