Italia nis garën për stadiumet e Euro 2032, Napoli dhe Roma me disa kandidatura

01 Aug 2026 18:24
Shpërndaje:

Italia ka nisur zyrtarisht procesin e përzgjedhjes së stadiumeve që do të presin ndeshjet e Kampionatit Europian 2032, ndërsa gara ka sjellë edhe disa surpriza.

Me përfundimin e afatit për paraqitjen e kandidaturave pranë Federatës Italiane të Futbollit, 13 qytete kanë aplikuar me gjithsej 16 stadiume, tre më shumë nga sa ishte parashikuar.

Napoli ka paraqitur dy kandidatura. E para lidhet me rikonstruksionin e stadiumit “Diego Armando Maradona”, për të cilin bashkia ka miratuar një investim prej 200 milionë eurosh, ndërsa e dyta parashikon ndërtimin e një stadiumi të ri, projekt i mbështetur nga presidenti i klubit, Aurelio De Laurentiis.

Reklamë Ola

Edhe Roma ka propozuar tre alternativa: stadiumin “Olimpico”, që do t’i nënshtrohet rikonstruksionit me një investim prej 130 milionë eurosh, stadiumin e ri të planifikuar në zonën Pietralata dhe stadiumin “Flaminio”, i cili pritet të rikualifikohet. Ky i fundit mund të përdoret edhe si qendër stërvitore gjatë Europianit, një ide e mbështetur nga ministri italian i Sportit, Andrea Abodi.

Në garë janë gjithashtu Bari, Bolonja, Kaljari, Firence, Xhenova, Lecce, Milano, Palermo, Salerno, Torino dhe Verona.

Reklamë InterMedika

Bolonja ka propozuar ndërtimin e një stadiumi të ri multifunksional në zonën e panaireve, me kapacitet mbi 30 mijë spektatorë, duke kërkuar përfshirjen e projektit në planin kombëtar për organizimin e Euro 2032.

Në fazën e ardhshme, Federata Italiane e Futbollit do të shqyrtojë dokumentacionin teknik, financiar, administrativ dhe infrastrukturor të secilës kandidaturë.

Në përfundim të procesit do të përzgjidhen vetëm pesë stadiume që do të përfaqësojnë Italinë në organizimin e Kampionatit Europian 2032, i cili do të zhvillohet bashkë me Turqinë.