Irani ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa Shtetet e Bashkuara të pranojnë dhe të zbatojnë shtatë kushtet e paraqitura nga Teherani. Autoritetet iraniane paralajmëruan gjithashtu se çdo sulm i ri amerikan do të marrë një kundërpërgjigje ushtarake.
Zyrtari iranian Mohsen Rezaei e cilësoi të pamjaftueshme përgjigjen e Uashingtonit ndaj kërkesave të Teheranit. Sipas tij, rihapja e ngushticës varet nga zbatimi i angazhimeve të kërkuara nga pala iraniane.
“Përgjigjja e SHBA-së ndaj të drejtave dhe kërkesave të Iranit nuk ishte bindëse. Ata duhet t’u përgjigjen plotësisht dhe qartë shtatë kushteve të Iranit dhe t’i përmbushin ato. Vetëm atëherë do të rihapet Ngushtica e Hormuzit”, deklaroi Rezaei.
Sipas autoriteteve iraniane, kushtet përfshijnë ndërprerjen e plotë të armiqësive në të gjitha frontet e Lindjes së Mesme, lirimin e fondeve iraniane të ngrira jashtë vendit dhe heqjen e sanksioneve ekonomike, veçanërisht atyre që prekin eksportet e naftës. Teherani kërkon gjithashtu heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, kompensim për dëmet e luftës, tërheqjen e forcave amerikane nga rajoni dhe ndalimin e kërcënimeve e ndërhyrjeve të Uashingtonit ndaj Iranit.
Përpjekjet për ndërmjetësim vijojnë përmes Katarit. Teherani nuk e ka përjashtuar mundësinë e një marrëveshjeje, por statusi i Ngushticës së Hormuzit dhe bllokada e porteve iraniane mbeten ndër çështjet kryesore që ndajnë palët.
Rezaei tha se Irani nuk synon ta zgjasë luftën, por paralajmëroi se një goditje e re amerikane do të pasohej nga një përgjigje e fortë. Ai pretendoi se forcat iraniane disponojnë sisteme të reja armësh që nuk i kanë përdorur ende.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët kryesore detare për transportin e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm. Kufizimi i lundrimit në këtë korridor prek furnizimin me energji dhe shton pasigurinë në tregjet ndërkombëtare.


