Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, deklaroi se Shqipëria ka shënuar përparim drejt anëtarësimit, por duhet të vijojë reformat. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, ajo prezantoi progresraportin e Komisionit Europian, të miratuar një ditë më parë.
“Mesazhi i këtij raporti është shumë i thjeshtë: Shqipëria ka ecur përpara”, u shpreh ambasadorja, duke shtuar se dokumenti është publik dhe mund të lexohet nga të gjithë qytetarët.
Moreira de Sousa vlerësoi punën në drejtësi dhe në luftën kundër korrupsionit, si dhe hapat pozitivë në mbrojtjen e të drejtave themelore. Ajo theksoi se përpjekjet duhet të vijojnë, pasi korrupsioni mbetet një sfidë, ndërsa ndryshimet në drejtësi duhet të mbështeten te reforma e vitit 2016.
Në fushën e demokracisë, raporti evidenton një klimë të polarizuar politike. Ambasadorja nënvizoi nevojën që reforma zgjedhore të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe që projektligjet kryesore të shqyrtohen sipas standardeve të BE-së.
Sa i përket lirisë së medias, Moreira de Sousa veçoi dekriminalizimin e shpifjes si një hap pozitiv, por tha se financimi i medias mbetet jotransparent. Ajo kërkoi gjithashtu hetimin e rasteve të përdorimit të forcës nga policia ndaj gazetarëve.


