Qeveria e kryeministrit Péter Magyar nisi më 4 nëntor publikimin në internet të regjistrave të Sigurimit të Shtetit të periudhës komuniste, duke përmbushur një nga premtimet elektorale të partisë Tisza. Hapja e arkivave i jep publikut qasje në dokumente që për dekada u publikuan vetëm pjesërisht, por ngre edhe një pikëpyetje: prania e një emri në regjistra nuk provon se personi ka vepruar si informator.
Data e publikimit ka një domethënie historike. Më 4 nëntor 1956, trupat sovjetike hynë në Hungari dhe shtypën me forcë revolucionin antikomunist. Në dekadat që pasuan, Sigurimi i Shtetit u përdor për të mbikëqyrur shoqërinë dhe për të goditur kundërshtarët e regjimit.
Në një postim më 31 tetor, Magyar e cilësoi publikimin një vendim të vonuar dhe të ndjeshëm, që do të prekë shumë familje. Parlamenti hungarez e ndryshoi ligjin për dosjet në mesin e shtatorit me nismën e Tiszas. Partia Fidesz e Viktor Orbánit nuk e mbështeti propozimin. Sipas një përllogaritjeje të portalit hungarez Telex, Fidesz ka votuar më shumë se 30 herë kundër hapjes së dosjeve që prej vitit 2010.
Përpjekjet për hapjen e arkivave nisën pas ndryshimeve politike të viteve 1989–1990. Në vitin 1994, parlamenti miratoi një ligj që parashikonte verifikimin e anëtarëve të qeverisë, deputetëve dhe disa kategorive të punonjësve publikë për lidhje të mundshme me Sigurimin e Shtetit. Nga viti 1997, qytetarët mund të konsultonin dosjet e tyre, ndërsa qasja te emrat e informatorëve u zgjerua pjesërisht në vitin 2003.
Megjithatë, dispozitat që lejonin mbajtjen sekret të dokumenteve për arsye të sigurisë kombëtare kufizuan materialet që i dorëzoheshin Arkivit Historik të Shërbimeve të Sigurimit të Shtetit. Hapja selektive krijoi hapësirë edhe për përdorimin politik të dosjeve. Në vitin 2002, gazeta Magyar Nemzet, e afërt me Fideszin, zbuloi se kryeministri socialist Péter Medgyessy kishte punuar me kohë të plotë në kundërzbulimin e regjimit komunist.
Regjistrat që po bëhen publikë përfshijnë të ashtuquajturit “kartonë të gjashtë”, skeda me të dhënat kryesore të personave të regjistruar në rrjetin e Sigurimit. Një koleksion tjetër, i njohur si “dosjet B”, përmban materiale për personat e rekrutuar dhe pritet të publikohet deri në fund të shkurtit 2027. Në total, databazat mund të përmbajnë të dhëna për deri në 60 mijë persona, nga rreth 150 mijë që vlerësohet se kanë qenë pjesë e rrjetit të informatorëve.
Drejtori i arkivit, Gergő Bendegúz Cseh, paralajmëroi në një intervistë për Inforádió se dokumentet janë shpesh të paplota dhe se shumë dosje janë asgjësuar. Disa persona rezultojnë të regjistruar pa dijeninë e tyre, ndërsa të tjerë nuk kanë hartuar kurrë raporte. Për këtë arsye, roli i secilit duhet vlerësuar duke shqyrtuar dokumentet dhe rrethanat e rastit.
Historiani János M. Rainer i tha Telex-it se hapja do të kishte pasur ndikim më të madh menjëherë pas rënies së diktaturës dhe se sot ka kryesisht peshë simbolike. Historiani Krisztián Ungváry, nga ana tjetër, tha për DW se regjistrat u japin studiuesve mundësinë të ngrenë pyetje të reja dhe shoqërisë të diskutojë për përgjegjësinë gjatë diktaturës. Ai mbështet edhe kufizimin e qasjes së ish-punonjësve të Sigurimit në disa poste publike, një masë e njohur si lustracion, që aktualisht nuk po diskutohet nga qeveria.


