Qeveria ka miratuar projektligjin për krijimin e Këshillit Fiskal të Republikës së Shqipërisë, një institucion publik të pavarur që do të vlerësojë politikat fiskale, projektbuxhetin dhe qëndrueshmërinë e financave publike. Ngritja e tij ishte parashikuar edhe në Strategjinë e Menaxhimit të Financave Publike 2023–2030.
Këshilli nuk do të vendosë për taksat, shpenzimet apo shpërndarjen e buxhetit. Detyra e tij do të jetë të analizojë në mënyrë të pavarur nëse qeveria respekton rregullat fiskale dhe nëse politikat e ndjekura garantojnë qëndrueshmërinë e financave publike.
Në fokus të institucionit do të jenë projektbuxheti vjetor, parashikimet makroekonomike e fiskale dhe ndryshimet që mund t’i bëhen buxhetit gjatë vitit. Këshilli do të publikojë analizat, opinionet dhe raportet e tij dhe do të ketë të drejtë të kërkojë informacion nga institucionet publike.
Opinionet e Këshillit do të kërkojnë gjithashtu reagim institucional. Në rast se ai ngre vërejtje për projektbuxhetin ose kuadrin fiskal, Ministria e Financave do të duhet të paraqesë një relacion shpjegues.
Këshilli Fiskal do të përbëhet nga tre anëtarë, të cilët do të zgjidhen nga Kuvendi me votat e më shumë se gjysmës së të gjithë deputetëve. Mandati i tyre do të jetë gjashtëvjeçar, ndërsa për përbërjen e parë parashikohen mandate me kohëzgjatje të ndryshme për të siguruar rotacionin.
Kandidatët duhet të kenë të paktën 10 vjet përvojë profesionale në fusha si financat publike, makroekonomia apo kërkimi shkencor. Projektligji parashikon gjithashtu kritere që synojnë të garantojnë pavarësinë politike dhe institucionale të anëtarëve.
Institucioni do të mbështetet nga një sekretariat teknik me pesë punonjës dhe do të financohet nga buxheti i shtetit. Kostoja e ngritjes dhe funksionimit llogaritet në rreth 39 milionë lekë, ku pjesa kryesore lidhet me pagat e tre anëtarëve dhe stafit teknik. Dokumentet e fazës së konsultimit publik parashikonin gjithashtu që veprimtaria e institucionit t’i nënshtrohej auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Krijimi i Këshillit Fiskal synon të shtojë një nivel të pavarur kontrolli dhe transparence përpara dhe gjatë zbatimit të vendimeve që lidhen me financat publike.


