Autostrada Tiranë-Durrës, Karakaçi: Aksi pas Kasharit i kalueshëm në fillim të vitit 2027

05 Nov 2026 • 22:18
Shpërndaje:

Punimet për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës po vijojnë sipas planifikimeve, ndërsa segmenti pas Mbikalimit të Kasharit pritet të jetë i kalueshëm për automjetet në fillim të vitit 2027.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, në një intervistë për A2 CNN, deklaroi se punimet në këtë aks po përparojnë dhe se kilometrat e parë deri në Mbikalimin e Rinasit janë ndërtuar tashmë.

Sipas ministrit, një nga problematikat kryesore mbetet ngushtimi i rrugës në zonën e Mbikalimit të Rinasit, i cili shkakton trafik të rënduar dhe vonesa për drejtuesit e automjeteve.

Reklamë Ola

“Qytetarët janë të shqetësuar për atë hinkën që krijohet te Mbikalimi i Rinasit. Fatmirësisht, punimet janë duke ecur mjaft mirë. Kontrata që ne kemi në zbatim kalon Mbikalimin e Kasharit dhe në fillim të vitit 2027 do të kemi një aks të kalueshëm për të gjithë qytetarët”, deklaroi Karakaçi.

Ministri bëri të ditur gjithashtu se në projektbuxhetin afatmesëm 2027–2029 është parashikuar financimi i plotë i zgjerimit të autostradës Tiranë-Durrës, deri në zonën e Urës së Dajlanit.

Reklamë InterMedika

Ai theksoi se ky është një nga akset rrugore me fluksin më të lartë të qarkullimit në vend, ndaj përfundimi i projektit konsiderohet i rëndësishëm për përmirësimin e lëvizshmërisë dhe reduktimin e trafikut.

Gjatë intervistës, Karakaçi u ndal edhe te projekti i Bypass-it të Elbasanit, i cili synon të lehtësojë qarkullimin në një nga zonat më problematike të rrjetit rrugor, veçanërisht gjatë sezonit turistik.

Sipas tij, qeveria ka vendosur të sigurojë financimin për realizimin e projektit dhe fazat pasuese të tij, ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar ka lidhur tashmë kontratat e para.

“Qeveria ka vendosur ta buxhetojë Bypass-in dhe fazat pasuese. Kontratat e para tashmë janë lidhur nga ARRSH. Për vitet 2027, 2028 dhe 2029 kemi të financuara fazat vijuese”, u shpreh ministri.

Realizimi i këtyre investimeve synon përmirësimin e infrastrukturës kombëtare, rritjen e kapaciteteve të qarkullimit dhe lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve në akset kryesore të vendit.