Hoxha pret ambasadorin Wendt: SHBA, ndër partnerët strategjikë më të çmuar të Shqipërisë

30 Sep 2026 • 16:07
Shpërndaje:

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka pritur në takim ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Eric Wendt, në kuadër të angazhimeve të para të diplomatit amerikan pas nisjes së mandatit të tij në Shqipëri.

Pas takimit, Hoxha tha se Shtetet e Bashkuara mbeten një nga partnerët strategjikë më të afërt dhe më të rëndësishëm të Shqipërisë, ndërsa marrëdhëniet mes dy vendeve mbështeten në vlera të përbashkëta demokratike, bashkëpunimin në NATO dhe lidhjet historike mes dy popujve.

Në fokus të diskutimeve ishin forcimi i mëtejshëm i partneritetit strategjik, zgjerimi i mundësive ekonomike dhe të investimeve, si dhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

Reklamë Ola

Hoxha theksoi se Shqipëria synon të thellojë koordinimin me SHBA-në edhe përballë sfidave globale që kërkojnë bashkëpunim të ngushtë mes aleatëve.

Sipas ministrit, integrimi në Bashkimin Europian dhe ruajtja e një partneriteti të fortë transatlantik nuk janë objektiva të ndara, por “dy anë të së njëjtës medalje”.

Reklamë InterMedika

“Mbetemi plotësisht të angazhuar për forcimin e mëtejshëm të partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe të lidhjeve tona transatlantike në vitet që vijnë”, deklaroi Hoxha.

Ministri i uroi Wendt sukses në misionin e tij diplomatik në Shqipëri dhe shprehu pritshmërinë për një bashkëpunim të afërt dhe të qëndrueshëm mes dy palëve.

Takimi me Hoxhën erdhi pasi ambasadori amerikan zhvilloi më herët gjatë ditës edhe një takim me kryeministrin Edi Rama.

Gjatë largimit nga Ministria e Jashtme, asistenti i Wendt u pa duke mbajtur një pikturë, e cila sipas raportimeve mësohet se i është dhuruar ambasadorit nga ministri Hoxha.