Kryeministri Edi Rama ka prezantuar një tjetër pjesë të projektndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, duke u ndalur te masat e sigurimit, roli i avokatit dhe e drejta e të akuzuarve për t’u njohur me provat që përdoren ndaj tyre.
Rama deklaroi se, sipas paketës së propozuar, për dënime nën pesë vite nuk do të ketë burg, duke e paraqitur këtë si një nga ndryshimet kryesore të reformës procedurale.
Kryeministri theksoi gjithashtu se avokati nuk duhet të ketë një rol formal në proces, por të ketë mundësi reale për të ushtruar mbrojtjen dhe për të kryer kërkimet e nevojshme.
“Avokati nuk mund të jetë dekor në gjyq, duhet të bëjë kërkimet e veta, të ketë liri”, tha Rama.
Sipas tij, personi i akuzuar do të ketë akses të plotë te provat që përdoren ndaj tij dhe do të mund të marrë pa pagesë dokumentacionin e dosjes për t’u njohur me të përpara gjykimit.
“Personi do të ketë akses të pakushtëzuar te provat ndaj tij dhe do të marrë pa pagesë të gjitha dosjet ndaj tij, për t’u njohur me to për gjyqin”, deklaroi kryeministri.
Paketa e re synon të forcojë garancitë procedurale dhe të drejtat e mbrojtjes gjatë procesit penal. Edhe Kodi aktual parashikon se organi procedues duhet të shqyrtojë si provat që rëndojnë pozitën e të pandehurit, ashtu edhe ato që janë në favor të tij.
Ndryshimet e prezantuara nga qeveria do të duhet të kalojnë në procesin parlamentar përpara se të hyjnë në fuqi.


