Besimi i gjermanëve te shteti në nivelin më të ulët, vetëm 32% shprehen pozitivisht

30 Sep 2026 • 16:16
Shpërndaje:

Besimi i qytetarëve gjermanë ndaj shtetit ka rënë në nivelin më të ulët të regjistruar nga sondazhi “eGovernment Monitor”, sipas studimit të publikuar nga nisma D21 dhe Universiteti Teknik i Mynihut.

Vetëm 32% e të anketuarve deklaruan se kanë besim të madh ose shumë të madh ndaj shtetit në përgjithësi. Katër vite më parë kjo shifër ishte 38%.

Rënie është shënuar edhe te besimi ndaj administratës dhe zyrave shtetërore. Vetëm 34% e qytetarëve thanë se kanë besim të lartë ndaj tyre, nga 37% më parë.

Reklamë Ola

Institucioni që gëzon besimin më të madh mbetet policia, me 55%, ndërsa sistemi i drejtësisë dhe gjykatat renditen pas saj me 41%.

Në nivelin politik, qytetarët gjermanë shfaqin më shumë besim ndaj institucioneve vendore. Bashkitë dhe komunat marrin 29%, institucionet e landeve 20%, ndërsa niveli federal vetëm 17%.

Reklamë InterMedika

Edhe besimi ndaj shtypit dhe mediave mbetet i ulët. Vetëm 20% e të anketuarve thanë se kanë besim të madh ose shumë të madh ndaj tyre.

Studimi tregon gjithashtu pakënaqësi me ritmin e digjitalizimit të administratës. Vetëm 15% e të anketuarve mendojnë se pritshmëritë e tyre për një administratë moderne digjitale janë përmbushur, ndërsa 41% thonë se shërbimet publike më të thjeshta dhe më të shpejta online do ta rrisnin besimin e tyre te shteti.

Sondazhi u realizua nga Kantar gjatë muajve prill dhe maj dhe përfshiu rreth 8 mijë persona mbi 16 vjeç në Gjermani. Rezultatet konsiderohen përfaqësuese për përdoruesit privatë të internetit.

“eGovernment Monitor 2026” fokusohet kryesisht te mënyra se si qytetarët përdorin dhe vlerësojnë shërbimet digjitale të administratës, por të dhënat e këtij viti tregojnë edhe një rënie më të gjerë të besimit ndaj institucioneve shtetërore.