Drejtori i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Europës, Gianluca Esposito, ka vlerësuar projektndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, duke theksuar se ato synojnë forcimin e të drejtave të personave të dyshuar dhe të akuzuar dhe përafrimin e mëtejshëm të sistemit shqiptar me standardet europiane.
Duke folur gjatë prezantimit të Paketës së Re të Garancive Procedurale, Esposito e cilësoi hartimin e Kodit të Procedurës Penale si një nga ndërmarrjet më të rëndësishme për çdo shtet.
Sipas tij, një kod i tillë nuk përcakton vetëm rregullat teknike të procedimit penal, por mënyrën se si shteti zhvillon hetimet, mbledh provat, merr në pyetje personat dhe vendos kufizime ndaj lirisë së tyre.
Esposito theksoi se kuadri ligjor duhet të garantojë një ekuilibër mes efektivitetit të luftës kundër krimit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të individit.
Ai vuri në dukje nevojën për kufizime kohore, përgjegjësi të qarta dhe standarde konkrete në Kodin e Procedurës Penale, duke theksuar se garancitë e parashikuara nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut nuk duhet të mbeten vetëm parime abstrakte.
Sipas Espositos, gjatë muajve të fundit Këshilli i Europës ka mbështetur procesin e hartimit të ndryshimeve, duke ofruar ekspertizë për përafrimin e draftit me standardet europiane.
“Drafti vendos në ekuilibër paketën e reformave me standardet europiane dhe forcon të drejtat e të akuzuarve, të dyshuarve dhe të mbrojtjes”, u shpreh Esposito
Ai e cilësoi paketën si një tregues të angazhimit të autoriteteve shqiptare për të vijuar reformat në sistemin e drejtësisë dhe për ta afruar legjislacionin me direktivat e Bashkimit Europian dhe standardet e Këshillit të Europës.
Projektndryshimet prekin ndër të tjera masat e sigurimit, të drejtat gjatë hetimit dhe gjykimit, administrimin e provave, prezumimin e pafajësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Esposito konfirmoi se Këshilli i Europës do të vijojë mbështetjen për Shqipërinë gjatë këtij procesi, ndërsa drafti i paraqitur do të kalojë tashmë në fazat e mëtejshme të konsultimit dhe shqyrtimit.


