Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur përfundimin e fazës së intervistave për nismën “Rrjeti MIA”, e cila synon të sjellë një qasje të re në komunikimin mes institucioneve publike dhe qytetarëve.
Përmes një postimi në Facebook, kreu i qeverisë njoftoi se për këtë nismë kanë aplikuar 245 persona, ndërsa janë zhvilluar 200 intervista.
Sipas Ramës, procesi ka sjellë një sërë propozimesh që lidhen me përdorimin e teknologjisë, inteligjencës artificiale dhe përmirësimin e komunikimit institucional.
“Kur prezantuam Rrjetin MIA, ideja ishte të hapnim dyert për njerëz me ide, energji dhe aftësi për të sjellë diçka ndryshe në mënyrën si institucionet komunikojnë me qytetarët”, shkruan kryeministri.
Ai theksoi se një nga elementet më interesante të procesit ka qenë larmia e ideve të paraqitura nga aplikantët.
“Nga përdorimi i inteligjencës artificiale dhe verifikimi i informacionit, te mënyrat se si mund t’i dëgjojmë më mirë qytetarët dhe t’i përfshijmë në gjetjen e zgjidhjeve”, u shpreh Rama.
Pas përfundimit të intervistave, nisma do të kalojë në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve dhe propozimeve që do të zhvillohen më tej.
“Tani vijon përzgjedhja, me synimin që idetë më të mira të zhvillohen më tej dhe të sjellin rezultate konkrete”, përfundoi kryeministri.
Nisma “Rrjeti MIA” synon të përmirësojë mënyrën e informimit dhe ndërveprimit të institucioneve me publikun, duke shfrytëzuar teknologjitë e reja dhe duke nxitur pjesëmarrjen e qytetarëve.


