Kryeministri Edi Rama ka folur për transformimin e Malësisë së Madhe dhe Përmetit gjatë dekadës së fundit, duke i cilësuar si dy destinacione që kanë ndryshuar ndjeshëm falë zhvillimit të turizmit dhe sipërmarrjes.
Në episodin e pestë të sezonit të shtatë të podkastit “FLASIM”, kreu i qeverisë kujtoi se si perceptoheshin këto dy zona rreth dhjetë vite më parë, kur, sipas tij, dukeshin të largëta dhe pa perspektivë zhvillimi.
“Njëherë e një kohë, por jo 100 vjet përpara, 10 vjet përpara, qoftë Malësia e Madhe, qoftë Përmeti ishin ndër ato pika në hartën e Shqipërisë që dukeshin shumë larg dhe nga ana tjetër, ku dukej për së largu, pa shkuar, që s’kishte asnjë arsye për të shkuar”, u shpreh Rama.
Kryeministri solli në vëmendje edhe periudhën përpara marrjes së detyrës, kur udhëtonte nëpër Shqipëri dhe, sipas tij, kishte krijuar përshtypjen se këto zona po humbnin banorët dhe mundësitë për zhvillim.
“Qoftë Malësia, qoftë Përmeti ngjanin si vende pa shpresë, ku kush ishte aty ishte thjesht ende aty, por të nesërmen s’do të ishte më aty”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, situata sot është ndryshe, pasi të dyja zonat janë kthyer në destinacione turistike që ofrojnë mundësi për zhvillimin e ekonomisë lokale.
“Sot janë dy destinacione të Shqipërisë së re, Shqipërisë tjetër që kemi ndërtuar me shumë mund”, theksoi kryeministri.
Ai nuk i kurseu as kritikat ndaj mënyrës se si pasqyrohen zhvillimet në vend, duke u shprehur se nga Tirana shumë prej ndryshimeve që ndodhin në zona të tjera të Shqipërisë mbeten në hije.
Sipas tij, këto zhvillime shpesh mbulohen nga “retë artificiale të kanaleve sociale dhe të ekraneve”.
Deklaratat e kryeministrit u bënë në kuadër të podkastit “FLASIM”, ku ai solli në vëmendje ndryshimet që, sipas tij, kanë ndodhur në Malësinë e Madhe dhe Përmet gjatë dhjetë viteve të fundit.


