Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, ka dënuar ashpër sulmin e rebelëve Huthi ndaj aeroportit ndërkombëtar të Riadit, në Arabinë Saudite, duke e cilësuar atë si një akt terrori kundër civilëve.
Në një reagim të publikuar të dielën në platformën X, Kallas shprehu solidaritetin e Bashkimit Europian me Arabinë Saudite dhe ngushëllimet për familjet e viktimave.
“Sulmi i rebelëve Huthi në aeroportin ndërkombëtar të Riadit është një akt i tmerrshëm terrori. Nuk mund të ketë asnjë justifikim për sulme pa dallim ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile”, deklaroi ajo.
Sipas të dhënave të raportuara nga autoriteti saudit i aviacionit civil, sulmi u ka marrë jetën 12 personave, mes tyre katër shtetas sauditë, dy shtetas të Bangladeshit dhe nga një shtetas i SHBA-së, Egjiptit, Jordanisë, Sirisë, Palestinës dhe Sudanit.
Disa persona të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe po marrin trajtim spitalor, ndërsa gjendja e një pjese të tyre paraqitet kritike.
Pas sulmit, autoritetet saudite pezulluan përkohësisht operacionet në aeroport për të vlerësuar dëmet dhe për të kryer kontrollet e nevojshme të sigurisë. Kjo solli vonesa dhe anulime fluturimesh.
Kallas paralajmëroi se përshkallëzimi i tensioneve në rajon do të jetë pjesë e diskutimeve të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian gjatë takimit të së hënës.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit mes operacionit detar të BE-së në Detin e Kuq, “Aspides”, dhe koalicionit shumëkombësh të mbrojtjes detare të udhëhequr nga Arabia Saudite.
Reagimi i kryediplomates europiane vjen në një kohë tensionesh të larta në rajon, ku siguria e infrastrukturës civile dhe e rrugëve ndërkombëtare të transportit mbetet një shqetësim për komunitetin ndërkombëtar.


