Siguria ushqimore në Shqipëri, Komisioneri i BE-së: Qytetarët meritojnë standarde europiane

11 Oct 2026 • 14:37
Shpërndaje:

Komisioneri Europian për Demokracinë, Drejtësinë, Shtetin e së Drejtës dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, Michael McGrath, ka përcjellë një mesazh për qytetarët shqiptarë, duke theksuar se ata duhet të gëzojnë të njëjtat standarde mbrojtjeje si konsumatorët në Bashkimin Europian.

Në një video të publikuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, McGrath vuri në fokus sigurinë ushqimore, cilësinë e produkteve dhe trajtimin e drejtë të konsumatorëve.

“Konsumatorët në Shqipëri kanë të drejtë të përfitojnë të njëjtin nivel mbrojtjeje si ata në Bashkimin Europian: ushqime të sigurta, produkte cilësore dhe trajtim të drejtë”, është mesazhi i komisionerit europian.

Reklamë Ola

Deklarata shënon nisjen e një fushate informuese të Delegacionit të BE-së për mbrojtjen e konsumatorëve në Shqipëri.

Fushata do të trajtojë një sërë çështjesh që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve, duke nisur nga siguria ushqimore deri te blerjet në internet dhe shërbimet financiare.

Reklamë InterMedika

Gjatë javëve në vijim, qytetarëve do t’u ofrohet informacion praktik mbi të drejtat e tyre si konsumatorë dhe kontrollet që duhet të kryejnë përpara se të blejnë produkte apo të përdorin shërbime të ndryshme.

Delegacioni i BE-së thekson se çdo hap i Shqipërisë drejt integrimit europian duhet të shoqërohet me mbrojtje më të fortë të konsumatorëve, ushqime më të sigurta, çmime transparente dhe trajtim të drejtë.

Fushata zhvillohet nën mesazhin “Shih me sy, vendos me mend”, duke synuar ndërgjegjësimin e qytetarëve për zgjedhje më të informuara dhe njohjen e të drejtave të tyre.