Harry Kane ka folur për të ardhmen e tij te Bayern Munich, ndërsa negociatat për rinovimin e kontratës vazhdojnë të jenë një nga çështjet kryesore të klubit bavarez përpara nisjes së sezonit të ri.
“Do të flasim javën e ardhshme ose pas dy javësh, por të dyja palët janë të qeta”, u shpreh sulmuesi anglez, duke konfirmuar se diskutimet mes përfaqësuesve të tij dhe drejtuesve të Bayern do të vazhdojnë.
Klubi gjerman synon t’i ofrojë Kane një kontratë deri në vitin 2028, me mundësi rinovimi edhe për një sezon tjetër. Termat financiarë pritet të mbeten të njëjtë, me sulmuesin që përfiton rreth 13 milionë euro në vit.
Përfaqësuesit e Kane kërkojnë një marrëveshje më afatgjatë, deri në vitin 2030, e cila do t’i siguronte sulmuesit stabilitet edhe në vitet e fundit të karrierës së tij.
Bayern kërkon të mbyllë sa më shpejt marrëveshjen për të shmangur pasigurinë rreth së ardhmes së një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës.
Në sfond qëndron edhe Barcelona, e cila po ndjek situatën e sulmuesit anglez dhe e sheh atë si një alternativë të rëndësishme për repartin ofensiv.
I pyetur për mundësinë e një transferimi te katalanasit apo të një largimi nga Bayern, Kane shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë.
“Nuk ia kam idenë, me këto gjëra merret babai dhe vëllai im. Di të them se jam shumë i lumtur këtu te Bayern dhe totalisht i përqendruar te sezoni i ri”, deklaroi sulmuesi.
Pavarësisht spekulimeve për të ardhmen, Kane vazhdon të jetë një nga pikat kryesore të Bayern Munich dhe shifrat e tij me fanellën bavareze mbeten mbresëlënëse.
Për momentin, palët shfaqen të qeta, por javët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të përcaktuar nëse Kane do ta zgjasë qëndrimin në Mynih apo nëse e ardhmja e tij do të kthehet në një nga temat kryesore të merkatos.


