Kos prezanton udhërrëfyesin: Shqipëria mund të mbyllë negociatat në fund të 2027-s

03 Nov 2026 • 23:48
Shpërndaje:

Komisioni Evropian pritet të paraqesë të mërkurën një udhërrëfyes që parashikon mundësinë e përfundimit të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë në fund të vitit 2027 ose në fillim të vitit 2028.

Sipas Top Channel, që citon një burim diplomatik në Bruksel të njohur me dokumentin, drafti vlerëson përparimin e Shqipërisë, por kërkon ruajtjen e ritmit dhe cilësisë së reformave. Dokumenti është ende nën embargo dhe përfundimet pritet të bëhen publike nga komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.

Udhërrëfyesi do të përfshijë Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën dhe mbështetet në vlerësimet e paketës së raporteve të progresit për dhjetë vende.

Reklamë Ola

Për Shqipërinë, Komisioni pritet të evidentojë hapjen e të gjithë grupkapitujve negociues në pak më shumë se një vit dhe përmbushjen e objektivave të ndërmjetëm për Grupkapitullin 1, që mbulon fushat themelore të procesit të anëtarësimit.

Megjithatë, vlerësimi shoqërohet me shqetësime për funksionimin e institucioneve demokratike.

Reklamë InterMedika

“Shqipëria duhet të ruajë ritmin e reformave, duke i kushtuar vëmendje si shpejtësisë, ashtu edhe cilësisë së tyre”, thuhet në draftin e cituar nga Top Channel.

Dokumenti vëren se polarizimi politik, dobësitë në kontrollin parlamentar dhe përdorimi i tepruar i procedurave të përshpejtuara për miratimin e ligjeve vazhdojnë të ndikojnë negativisht në cilësinë e qeverisjes demokratike.

Sipas afateve orientuese të draftit, Shqipëria dhe Moldavia mund të arrijnë përfundimin e negociatave në fund të vitit 2027 ose në fillim të vitit 2028. Për Ukrainën, ky objektiv parashikohet deri në fund të vitit 2029.

Ndërkohë, Mali i Zi pritet të vlerësohet si vendi që është në rrugën e duhur për t’i përfunduar negociatat deri në fund të këtij viti. Komisioni pritet ta paraqesë përparimin e tij si dëshmi se zgjerimi mbetet një objektiv konkret dhe i arritshëm.

Për Shqipërinë, afati i përmendur në draft përputhet me objektivin e deklaruar të qeverisë për mbylljen e negociatave gjatë vitit 2027. Përfundimi i tyre, megjithatë, është një fazë e veçantë nga anëtarësimi i plotë, i cili kërkon edhe miratimin e vendeve anëtare.