Gonzato: Raporti i KE për Shqipërinë është pozitiv, shtetet anëtare po e shqyrtojnë procesin e integrimit
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, deklaroi se raporti i fundit i Komisionit Europian për Shqipërinë vlerësohet pozitiv dhe aktualisht po shqyrtohet nga shtetet anëtare të BE-së.
Në një aktivitet për Ditën e Europës, ku morën pjesë edhe Kryeministri Edi Rama dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha, Gonzato iu përgjigj edhe deklaratave të opozitës për ngadalësim të procesit të integrimit.
Ai sqaroi se raporti i quajtur IBAR, i hartuar nga Komisioni Europian, vlerëson nëse Shqipëria ka përmbushur piketat e përkohshme për të kaluar në fazat e tjera të negociatave.
“Raporti i Komisionit ka bërë një vlerësim pozitiv për Shqipërinë. Tani janë shtetet anëtare ato që do ta diskutojnë këtë raport”, u shpreh Gonzato.
Sipas tij, shtetet anëtare nuk votojnë raportin, por e diskutojnë atë dhe japin qëndrime politike, ndërsa vendimmarrja teknike i takon Komisionit Europian.
Ai theksoi gjithashtu se nën presidencën e Këshillit të BE-së, procesi do të vijojë me përcaktimin e piketave përmbyllëse që Shqipëria duhet të përmbushë për të avancuar drejt mbylljes së negociatave.
“Kapitulli i ‘Themeloreve’ është i pari që hapet dhe i fundit që mbyllet”, tha Gonzato, duke nënvizuar rëndësinë e përmbushjes së standardeve në këtë fushë për ecurinë e integrimit europian të Shqipërisë.







