Shqiptari Rexhep Rexhepi triumfon në Gjenevë, Balla: Krenari për shqiptarët

08 Nov 2026 • 19:44
Shpërndaje:

Orëbërësi shqiptar Rexhep Rexhepi ka arritur një tjetër sukses në arenën ndërkombëtare, duke fituar çmimin prestigjioz “Aiguille d’Or” në Grand Prix d’Horlogerie de Genève 2026, vlerësimi më i lartë i këtij konkursi të orëbërjes.

Suksesi është përshëndetur edhe nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka shprehur krenarinë për arritjen e mjeshtrit shqiptar në Zvicër.

“Urime Rexhep Rexhepi, mjeshtri shqiptar i orëve në Zvicër, për ‘Aiguille d’Or’, vlerësimi më i lartë në Grand Prix d’Horlogerie de Genève 2026, me krijimin Chronograph Flyback”, shkruan Balla.

Reklamë Ola

Në mesazhin e tij, ai ka vlerësuar edhe rrugëtimin profesional të Rexhepit, i cili e nisi karrierën në moshën 15-vjeçare si praktikant pranë kompanisë prestigjioze Patek Philippe.

“Nga një 15-vjeçar që nisi si praktikant te Patek Philippe, sot në majën e botës së orëbërjes. Suksesi yt është krenari për shqiptarët kudo që ndodhen”, thekson Balla.

Reklamë InterMedika

Rexhep Rexhepi është një nga emrat e njohur të orëbërjes së pavarur zvicerane, i vlerësuar për mjeshtërinë teknike dhe përkushtimin ndaj krijimit të orëve mekanike të nivelit të lartë.

Çmimi “Aiguille d’Or” konsiderohet vlerësimi kryesor i Grand Prix d’Horlogerie de Genève, një prej ngjarjeve më të rëndësishme ndërkombëtare të industrisë së orëve.

Arritja e Rexhepit përbën një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e tij dhe një sukses që ka marrë vëmendje edhe në Shqipëri.