“Gati platforma për hapjen e negociatave me Shqipërinë para Samitit të Zagrebit”
Komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Oliver Varhelyi, u prit sot në një takim nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Pas takimit, Rama dhe Varhelyi mbajtën një konferencë të përbashkët për media, ku Rama theksoi se Shqipëria njohu miqtë e saj të vërtetë në ditët e tragjedisë pas tërmetit.
“Ai (komisioneri) qysh në momentin e parë pas rënies së tërmetit, që solli një tragjedi në jetën tonë, u angazhua personalisht dhe në mënyrë të vijueshme është interesuar drejtpërdrejtë qoftë për të marrë nga unë dhe na ne informacione në kohë reale për ecurinë e situatës. Qoftë për të sensibilizuar të gjithë të tjerët në funksion të nevojës së madhe të Shqipërisë për mbështetje. Po ashtu ishte pikërisht komisioneri që në momentin e parë vuri në lëvizje mekanizmin e rimbursimit të fondit të parë në atë emergjencë të madhe. Në momente të vështira që kaluam kemi pasur mundësinë të çmojmë miqtë e vërtetë të vendit tonë dhe jam i kënaqur që sot e presim komisionerin si mik të vërtetë të shqiptarëve”, tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi se “Kemi diskutuar dhe për aspektin e integrimit dhe kemi ndarë pikëpamjet për atë se çfarë ka ndodhur në fund të vitit të shkuar dhe çfarë mund të presim nga ky vit. Ajo që është e rëndësishme është se Shqipëria do të bëjë të njëjtat gjera që do të bënin edhe po të ishin hapur negociatat në fund të viti të shkuar. Do i bëjmë me shumë vendosmëri”, tha Rama.
Sa i takon rrugës së integrimit, ai tha se Shqipëria do të vijojë të bëjë të njëjtën gjë siç do të bënte në rastin po të ishin hapur negociatat.
Ndërsa komisioneri Varhelyi në fjalën e tij theksoi se po punon fort që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut t’i hapen negociatat për anëtarësim në BE. Sipas tij, tashmë është gati platforma dhe metodologjia për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se shpreson që negociatat të hapen para Samitit të Zagrebit.
“Zgjerimi dhe Ballkani Perëndimor është prioritet. Dëshirojmë që të kemi më shumë ndikim dhe influencë. Dëshirojmë të jemi partner i rëndësishëm me rajonin. Do të punoj fort me ju që kjo gjë të bëhet realitet. Ne vazhdojmë të konsiderojmë Shqipërinë si një shtet që është gati. Ne do të punojmë fortë që kjo të bëhet e tillë përpara Samitit të Zagrebit. Komsioni do të ketë në tre drejtime. E para do të bëhet këtë muaj për metodologjinë e negociatave, fakti që nuk u hapën negociatat pasi kishte disa shqetësime. Ne po punojmë me miqtë tanë që të gjejmë një zgjidhje që të krijojë një shans të ri. Me këtë metodologji do të krijojmë një qasje me 4 parime bazë”, tha ai.
“Procesi duhet të jetë më i besueshëm më politik dhe më i parashikueshëm. Është përparësi. Po përpilojmë një propozim. E dyta është që të kemi mundësinë të fillojmë negociatat këtë vit përpara Samitit të Zagrebit. E treta është Samitit i Zagrebit ku shpresojmë që do të flasim për zhvillimin ekonomik për Ballkanin Perëndimor. Në mënyrë që këto vende të jenë pranë BE. Të vazhdohen reformat që po kryhen. Me vendosmëri. Do të kërkohen edhe reforma më dinamike”, theksoi Varhelyi.
Kryeministri Rama dhe Komisioneri Varhelyi pas konferencës kanë vizituar zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në Qarkun e Durrësit.
Komisioneri i BE-së do të takohet edhe me presidentin e vendit, Ilir Meta dhe kryeparlamentarin Gramoz Ruçi.
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nga viti 2014 dhe është në pritje të vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit.