FSHF tërheq mbështetjen për Gianni Infantinon në garën për presidencën e FIFA-s

06 Aug 2026 16:10
Shpërndaje:

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka vendosur të tërheqë mbështetjen për kandidaturën e Gianni Infantinos për një mandat të ri katërvjeçar në krye të FIFA-s, duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm të qëndrimit të saj ndaj presidentit aktual të organizatës botërore të futbollit.

Përmes një letre zyrtare drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të FIFA-s, Mattias Grafström, FSHF njoftoi revokimin e mbështetjes së dhënë më parë për Infantinon. Vendimi është firmosur nga presidenti i Federatës, Armand Duka.

“Pas konsultimeve të mëtejshme të brendshme dhe një shqyrtimi të kujdesshëm të situatës, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të tërheqë mbështetjen e dhënë më parë për kandidaturën e z. Infantino”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Reklamë Ola

Sipas FSHF-së, vendimi lidhet me zhvillimet e fundit në futbollin ndërkombëtar dhe me qëndrimet e federatave evropiane lidhur me mënyrën e qeverisjes së FIFA-s.

Federata shqiptare ritheksoi angazhimin për të bashkëpunuar ngushtë me UEFA-n dhe partnerët e saj ndërkombëtarë, me synimin për të promovuar një model qeverisjeje të bazuar në transparencë, integritet dhe interesin më të mirë të futbollit.

Reklamë InterMedika

Tërheqja e mbështetjes nga FSHF vjen në një periudhë kur Gianni Infantino po përballet me kritika të forta nga një pjesë e federatave evropiane, duke shtuar pasigurinë rreth kandidaturës së tij për një mandat të ri në krye të FIFA-s.