Franca përfshihet nga dhuna, Macron do t’i drejtohet kombit

18 Oct 2026 • 19:35
Shpërndaje:

Presidenti francez Emmanuel Macron do t’u drejtohet qytetarëve të dielën në mbrëmje, pas trazirave që përfshinë vendin, me mbi 2 mijë persona të ndaluar dhe dëme materiale që arrijnë në miliona euro.

Përplasjet shpërthyen të shtunën, gjatë demonstratave që e kanë zanafillën te protestat studentore të muajit të kaluar. Fillimisht, studentët bllokuan shkollat dhe kërkuan kushte më të mira studimi, por lëvizja u zgjerua më pas në protesta kombëtare kundër rritjes së kostos së jetesës.

Pamjet nga disa qytete treguan grabitje, automjete të djegura dhe vitrina dyqanesh të shkatërruara. Në Limoges, në Francën qendrore, protestues të dhunshëm i vunë zjarrin bashkisë, duke shkaktuar shembjen e pjesshme të çatisë. Një demonstrues humbi jetën pasi pësoi një atak në zemër.

Reklamë Ola

Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, njoftoi të dielën pasdite se mbi 2 mijë persona ishin ndaluar.

“Më shumë se 600 punonjës policie, xhandarë dhe zjarrfikës janë plagosur gjatë këtyre skenave të dhunës”, shkroi ai në platformën X.

Reklamë InterMedika

Përpara fjalimit të planifikuar në orën 20:00, Macron do të takohet me kryeministrin Sébastien Lecornu dhe ministrat përgjegjës për menaxhimin e krizës.

Trazirat kanë marrë edhe përmasa politike, ndërsa intensifikohet fushata për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Qeveria, e cila prej javësh po përpiqet të menaxhojë situatën, shpreson që pushimet shkollore dyjavore, të nisura të premten, të ulin vrullin e lëvizjes. Lecornu i ka cilësuar ngjarjet si “dhunë urbane”.

Kryebashkiaku i Limoges, Guillaume Guérin, kritikoi reagimin e qeverisë, duke deklaruar se policisë kombëtare i kishin mbaruar municionet gjatë përballjes me trazirat.

Dhuna nxiti reagime edhe nga Uashingtoni. Presidenti amerikan Donald Trump ia atribuoi situatën emigracionit dhe i bëri thirrje Francës të mbyllë kufijtë e të rimarrë kontrollin.

Edhe zëvendëspresidenti amerikan JD Vance kritikoi udhëheqësit europianë, duke pretenduar se politikat e emigracionit kishin anashkaluar çështjet e integrimit. Ai e lidhi situatën në Francë me debatin politik në SHBA, në prag të zgjedhjeve të mesmandatit për Kongresin më 3 nëntor.