Fillimi zyrtar i negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut/ Várhelyi viziton Sofjen dhe Shkupin
Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi dhe ministri Portugez i Shtetit dhe Punëve të Jashtme, Augusto Santos Silva, në emër të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian, do të vizitojnë Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut sot, për të diskutuar tema në lidhje me procesin e zgjerimit të BE-së me autoritetet e të dy vendeve, njoftoi dje zyra për shtyp e KE.
Në mëngjes, ata do të jenë në Sofje për të takuar Presidentin Rumen Radev, si dhe Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të qeverisë së re, ndërsa pasdite, në Shkup, ata do të takohen me Presidentin Stevo Pendarovski, si dhe Kryeministrin Zoran Zaev së bashku me Zëvendës Kryeministrin për Çështjet Europiane dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, shton KE.
Fillimi zyrtar i negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një përparësi kryesore për BE dhe konferencat e para ndërqeveritare me të dy vendet duhet të organizohen sa më shpejt të jetë e mundur pas miratimit të kornizave negociuese nga Këshilli, thekson KE.
Eunews.al