Kryeministri Edi Rama ka komentuar pretendimet e ngritura nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe përfaqësues të opozitës për ekzistencën e një të ashtuquajture “qeveri të Belinda Ballukut”.
Gjatë intervistës me gazetaren Rudina Xhunga në podkastin “Flasim”, Rama i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar ato si “barsoleta”.
Kryeministri u pyet edhe për ministrin aktual të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i cili më parë ka mbajtur detyra të rëndësishme në sektorin energjetik.
Sipas Ramës, Karakaçi i ka të gjitha aftësitë e nevojshme për ta drejtuar ministrinë dhe emërimi i tij nuk lidhet me Belinda Ballukun.
“Ministri aktual i Energjisë dhe Infrastrukturës është një djalë që i ka të gjitha ato që duhen për ta bërë atë detyrë. Atë nuk e ka sjellë Belinda Balluku në atë ministri, por e ka gjetur”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë vlerësoi punën e Karakaçit në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, si edhe angazhimin e tij në detyrën e re.
“Çfarë po flasim këtu? Është faji i tij që u promovua? Edhe në OSHE ka bërë një punë shembullore, ndërkohë që edhe në këtë detyrë po punon shumë mirë dhe unë jam i kënaqur nga puna e tij. Çfarë problemi ka këtu?”, tha kryeministri.
Rama shtoi se i kishte dëgjuar teoritë e opozitës, por kundërshtoi idenë se promovimi i zyrtarëve që kanë punuar më parë në institucionet e drejtuara nga Balluku dëshmon se ajo kontrollon qeverinë.
“I kam dëgjuar këto teori, por çfarë problemi ka këtu? Ku do t’i gjejmë njerëzit ne?”, u shpreh ai.
Pasi gazetarja këmbënguli te pretendimi i Berishës se Balluku kontrollon kabinetin qeveritar, Rama reagoi me ironi.
“Unë kontrolloj qeverinë dhe ajo më kontrollon mua? Aman, ç’i keni këto? Këto janë barsoleta”, përfundoi kryeministri.


