×
Friday, October 11, 2024

Evropa, masa të jashtëzakonshme për koronavirusin

March 6, 2020


Ndërsa koronavirusi vazhdon të përhapet në Europë, në kontinent po merren masa të jashtëzakonshme.

Organizatorët e Panairit të Librit në Londër, një nga tubimet më të mëdha të industrisë botuese, e kanë anuluar panairin.

Linjat ajrore gjithashtu kanë ulur ndjeshëm fluturimet. Në Itali, ku numri i vdekjeve nga koronavirusi është i dyti pas Kinës, qeveria ka mbyllur të gjitha shkollat dhe universitetet deri në mes të marsit dhe i ka shtyrë për muajin tjetër të gjitha ngjarjet sportive ku ka pjesëmarrje tifozësh.

Rastet me koronavirus deri tani janë shfaqur në 80 vende të botës.

Përhapja e shpejtë e virusit po detyron autoritetet në shumë vende të marrin masa drastike. Në Britani, numri i rasteve është rritur në 90, por deri tani autoritetet, nga frika e dëmit ekonomik, nuk kanë marrë ende masa për të kufizuar lëvizjen ose anuluar tubimet e mëdha.

Disa aktivitete, megjithatë, janë duke u anuluar, siç është Panairi i Librit në Londër, i cili ishte planifikuar për javën e ardhshme. Panairi zakonisht mbledh rreth 25,000 shkrimtarë, botues dhe agjentë. Ministri britanik i shëndetësisë Matt Hancock të enjten paralajmëroi javë të vështira në përpjekjet për të luftuar përhapjen e virusit.

Komentet e tij erdhën pas falimentimit të kompanisë ajrore britanike Flybe, së cilës shpërthimi i virusit i dha goditjen e fundit. Linjat ajrore të tjera në Evropë gjithashtu janë në vështirësi dhe u është dashur të pezullojnë një pjesë të fluturimeve.

Italia është vendi evropian i goditur më rëndë nga COVID-19, me numrin e të vdekurve mbi 148 dhe numrin e infektimeve 3.850. Ministrja italiane e arsimit Lucia Azzolina njoftoi të mërkurën se me situatën epidemiologjike që po ndryshon me shpejtësi, qeveria kishte vendosur të mbyllte të gjitha shkollat dhe universitetet duke filluar nga e enjtja deri më 15 mars.

Ajo tha se e kuptonte që ky ishte “një vendim me pasoja” dhe shtoi se si ministre e arsimit, padyshim dëshironte që nxënësit dhe studentët të ktheheshin në shkollë sa më shpejt që të ishte e mundur.

Disa nxënës i gëzoi ideja se nuk do të shkonin në shkollë për një kohë edhe pse ministrja e arsimit e bëri të qartë se nga shkollat dhe universitetet do të bëhen të gjitha përpjekjet për të siguruar që studentët do të vazhdojnë studimet në shtëpi për të mos ngelur prapa.

Tetëmbëdhjetë vjeçari Riccardo Romano, i cili shkon në Liceun Righi të Romës, shprehu shqetësim për vendimin e qeverisë.

Mbyllja e shkollave, tha Romano, ishte gjëja e duhur për të kufizuar përhapjen e virusit. Por ai tha se qeveria gjithashtu duhet të mbyllë diskotekat dhe të ndalojë udhëtimet me autobus sepse aty njerëzit rrezikojnë të marrin virusin. Ai tha se nxënësit nuk janë ata që rrezikohen më shumë.

Të moshuarit janë shqetësimi më i madh dhe qeveria italiane u ka kërkuar atyre që të qëndrojnë brenda sa më shumë që të jetë e mundur. Ai gjithashtu këshilloi që të gjithë të mbajnë distancë, të paktën një metër nga të tjerët, dhe të shmangin puthjet ose përqafimet si dhe shtrëngimet e duarve me të tjerët.

Veç kësaj, ngjarjet sportive, si ndeshjet e futbollit, do të luhen pas dyerve të mbyllura gjatë gjithë muajit tjetër.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments