Macron nuk përjashton gjendjen e jashtëzakonshme në Francë

26 Oct 2026 • 15:34
Shpërndaje:

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se autoritetet po ruajnë rendin publik pa shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, por nuk e përjashtoi këtë masë nëse situata përkeqësohet.

“Po ruajmë sot Republikën dhe rendin publik pa shpallur gjendjen e jashtëzakonshme”, tha Macron pas një takimi me kryebashkiakun e Marsejës, Benoît Payan, duke theksuar se kjo mundësi nuk është tabu.

Presidenti bëri dallimin mes mobilizimit aktual dhe trazirave të verës së vitit 2023, të cilat pasuan vdekjen e të riut Nahel Merzouk.

Reklamë Ola

“Ajo që po përjetojmë sot nuk është e krahasueshme me atë që përjetuam në verën e vitit 2023”, u shpreh ai.

Sipas Macronit, protestat aktuale përbëjnë një mobilizim shoqëror dhe politik, të nxitur nga pakënaqësitë e nxënësve të shkollave të mesme dhe rritja e kostos së jetesës.

Reklamë InterMedika

Ai kritikoi gjithashtu rolin e rrjeteve sociale, duke pretenduar se ato po dëmtojnë demokracitë dhe po nxisin një perceptim të shkëputur nga realiteti për dhunën.

“Ato u përdorën, veçanërisht më datë 17, për të sjellë të rinj dhe persona më të moshuar në vendet ku kryheshin akte kriminale, sulme dhe plaçkitje”, deklaroi presidenti.

Macron e përshkroi klimën aktuale si një situatë konfuzioni, tensioni të vazhdueshëm dhe “magjepsjeje ndaj dhunës”.

Duke iu referuar protestave të paralajmëruara, ai tha se e shtuna e ardhshme do të jetë sërish “një ditë me rrezik”. Itineraret e demonstratave, sipas tij, do të mbeten jashtë qendrave të qyteteve për të mbrojtur rendin publik.

Gjatë vizitës në bashkinë e Marsejës, e cila u pushtua përkohësisht nga protestuesit më 17 tetor, Macron pranoi se autoritetet nuk e kishin parashikuar përmasën e mobilizimit. Ai tha se forcat policore nuk ishin angazhuar në numrin dhe përmasat që kërkonte situata.