×
Saturday, July 13, 2024

Ekskluzive, Komisoni i Venecias shtyn shqyrtimin e draft-opinionit final për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese: Projekt-Opinioni përmban çështje të diskutueshme dhe të vështira

March 20, 2020


Ndërsa sot dhe nesër pritej që Komisioni i Venecias të miratonte Opinionin final lidhur me “Emërimin e Anëtarëve të Gjykatës Kurshtetuese” në Shqipëri, 62 anëtarët e këtij Komisioni janë njoftuar dje se draft-opinioni nuk do të shqyrtohet dhe as miratohet në këtë fundjavë.

Eunews.al ka mësuar në Strasburg se Komisioni i Venecias ka patur një sërë komunikimesh qoftë me Zyrën e Presidentit të Republikës, qoftë edhe me Kuvendin e Shqipërisë, prej të cilëve ka marrë dokumentacion shtesë, të shoqëruar me komente për opinionin paraprak të nisur në Tiranë më 6 Mars 2020.

Një burim në Strasburg i tha Eunews se shtyrja e shqyrtimit dhe e miratimit në këtë fundjavë nuk lidhet me situtën e krijuar nga pandemia e shkaktuar nga Covid-19. I njëjti burim i tha Eunews se 62 anëtarët e Komisionit janë informuar dje nga Sekretariati se “projekt-Opinioni në të vërtetë përmban shumë çështje të diskutueshme dhe të vështira. Do të ishte problematik të adoptohet një tekst i tillë tani në një procedurë të shkruar”.

Raporterët kanë kërkuar shtyrjen e shqyrtimit dhe të miratimit të Opinionit në Sesionin Plenar të Qershorit në Venecia. Komisioni Europian për Demokraci përmes Ligjit njihet si Komisioni i Venecias pikërisht për shkak se i zhvillon mbledhjet plenare në qytetin italian. Sesioni i marsit 2020 i Komisionit është në fakt i afektuar nga pandemia e koronavirusit dhe për këtë shkak shqyrtimi dhe miratimi i opinioneve do të zhvillohet në një procedurë të shkruar dhe jo në një mbledhje plenare në Venecia. Sesioni Plenar i radhës do të mbahet në qershor. Deri atëherë çështja shumë e debatuar mes Presidentit dhe Kuvendit të Shqipërisë do duhet të presë opinionin e ekspertëve të Komisionit të Venecias.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments