“Dëshirojmë një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka realizuar një vizitë zyrtare në Shqipëri, duke u takuar me drejtues të lartë të vendit, ndërsa është pritur me një ceremoni shtetërore nga kryeministri Edi Rama.
Ceremonia zyrtare e pritjes është organizuar në Pallatin e Brigadave në Tiranë, me pjesëmarrjen edhe të ministrave të kabineteve qeveritare dhe zyrtarëve të tjerë nga të dy vendet.
Rama dhe Kurti pas takimit mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në çështjet e bashkëpunimit mes dy vendeve, mbledhjen e ardhshme mes dy qeverive, mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën dhe çështje të tjera.
Rama: Bashkëpunimi me Kosovën mbetet prioritet i prioriteteve
Kryeministri Rama theksoi gjatë konferencës se me homologun Kurti ka pasur një komunikim të hapur, të rëndësishëm dhe intensiv, sipas tij “për ku jemi dhe ku duam t’i çojmë marrëdhëniet tona, duke synuar një shpejtësi të re në drejtim të bashkëpunimit në të gjitha fushat”.
“Kemi rënë dakord që të fillojmë menjëherë përgatitjet për mbledhjet e dy qeverive e cila do të mbahet në Shkodër. Do të vendosim në funksion një komision ndërshtetëror të përbërë nga ministra dhe përfaqësues të komisioneve parlamentare për të ndjekur ecurinë e marrëveshjeve, për të identifikuar problematikat në zbatimin e tyre”, tha Rama.
Kryeministri i Shqipërisë theksoi më tej se kanë diskutuar dhe për procesin e Berlinit dhe u shpreh se do të vazhdojnë të diskutojnë për të harmonizuar veprimet dhe hapat në funksion të nismës për implementimin e katër lirive themelore të Bashkimit Evropian(BE) në rajon.
“Për ne bashkëpunimi me Kosovën mbetet natyrisht prioritet i prioriteteve. Për mua nëse nuk realizojmë lëvizjen e plotë të lirë të njerëzve në radhë të parë dhe pastaj edhe lëvizjen e plotë të mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve nuk e kemi kryer detyrën tonë ndaj të ardhmes dhe njerëzve tanë. Është themelore që të jemi të gatshëm, të angazhuar dhe të qartë në çdo hap për të hequr kufirin mes dy shteteve dhe për ta bërë faktikisht hapësirën e përveçme të secilit shtet një hapësirë të përbashkët lëvizje, ndërveprimi, bashkëpunimi dhe zhvillimi”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama tha më tej se “Ne jemi 100 për qind në mbështetje të Kosovës, në të gjithë betejën për ta çuar para procesin e njohjes së plotë dhe të afirmimit të plotë përfundimtar si një shtet sovran dhe demokratik, në të gjitha instancat dhe në raport me të gjitha shtetet dhe institucionet”.
Kurti: Dëshirojmë një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri
Në fillim të fjalës së tij në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama, kryeministri Kurti theksoi se dëshiron të ketë një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Kurti u shpreh se Kosova dhe Shqipëria janë prioritet i njëra-tjetrës dhe nuk janë çështje që presin në asnjë fushë. “U dakorduam që të formojmë një komision ndërshtetëror i përbërë edhe nga ministra edhe nga deputetë që ato 77 marrëveshje që janë nënshkruar deri tani të zbatohen, por edhe të shtohen me marrëveshje të reja. Duam që ta shtojmë bashkëpunimin, ta shtojmë bashkërendimin duke e thelluar dhe zgjeruar atë”, tha kryeministri i Kosovës.
“Dua ta falënderoj Republikën e Shqipërisë dhe popullin shqiptar për ndihmën, përkrahjen e pakursyer e të pa rezervë për Kosovën. Kosova nuk do t’ia dilte me sukses karshi Serbisë në luftë, por po ashtu as në paqe pa Shqipërinë, prandaj ne kurrë nuk e harrojmë këtë gjë dhe duam që në shekullin 21-të të ecim bashkë shpejtë dhe fuqishëm. Në veçanti duam që të bashkëpunojmë në aspektin ekonomik, të prodhimtarisë, të arsimit, të sigurisë dhe të politikës së jashtme. Besojmë që këto janë fusha në të cilat i kemi preokupimet e njëjta dhe po ashtu partnerët e aleatët tanë demokratikë të zhvilluar e perëndimor janë po të njëjtit”, u shpreh Kurti.
Në lidhje me qëndrimin e tij për “minishengenin ballkanik”, Kurti u shpreh se “Kjo ishte një temë që e trajtuam, por shkurtimisht meqenëse takimi ynë sot ishte më parë për makroshengenin shqiptar sesa për minishengenin ballkanik.”
Pas konferencës së përbashkët me kryeministrin Rama, kryeministri i Kosovës është takuar me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryparlamentarin Gramoz Ruçi, ndërsa do të takohet edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, si dhe me kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kjo është vizita e parë zyrtare jashtë vendit e Kurtit si kryeministër i Kosovës. Kujtojmë se Qeveria e re e Kosovës filloi zyrtarisht detyrën disa ditë më parë.
Eunews.al