Flavio Bolsonaro nuk e ka njohur humbjen përballë Luiz Inácio Lula da Silvës në zgjedhjet presidenciale në Brazil dhe ka paralajmëruar hapa ligjorë për të kërkuar anulimin e raundit të dytë.
Kundërshtimi i tij përqendrohet te vendimi i autoriteteve zgjedhore për ta zgjatur me dy orë votimin e së dielës, masë që Bolsonaro e ka cilësuar të papranueshme.
Vendimi u mor pak përpara mbylljes së planifikuar të vendvotimeve, pas problemeve të raportuara në disa rajone. Sipas Associated Press, të dyja kampet kishin kërkuar kohë shtesë, por për arsye të ndryshme.
Përfaqësuesit e Lulës kishin ngritur shqetësime për vështirësitë në transportin publik, ndërsa kampi i Bolsonaros kishte kërkuar zgjatjen e orarit për shkak të reshjeve të dendura në jug të vendit.
Autoriteti zgjedhor brazilian ka konfirmuar ndërkohë rezultatin. Pas numërimit të të gjitha votave, Lula ka marrë rreth 51,8%, kundrejt 48,2% për Flavio Bolsonaron, me një diferencë prej afro 4,4 milionë votash.
Rezultati i siguron Lulës mandatin e katërt presidencial, jo të njëpasnjëshëm, pasi ai përmbysi epërsinë që Bolsonaro kishte siguruar në raundin e parë.
Megjithëse ka paralajmëruar kundërshtimin në rrugë ligjore, ende nuk është bërë e ditur nëse Bolsonaro ka depozituar një kërkesë zyrtare për anulimin e votimit apo çfarë argumentesh të tjera do të paraqesë.


