Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar verbalisht Norvegjinë, duke shprehur pakënaqësinë që nuk është vlerësuar me Çmimin Nobel për Paqen.
Gjatë një tubimi elektoral të dielën në mbrëmje në Port Huron të Miçiganit, Trump e lidhi kritikën ndaj vendit nordik me pretendimet e tij se ka zgjidhur të paktën tetë konflikte gjatë mandatit të dytë.
“Po unë? A japin dy çmime? Nuk jam i dashuruar me Norvegjinë. Sinqerisht, Norvegjia është për faqe të zezë”, deklaroi ai, përpara se të përdorte edhe një shprehje vulgare për vendin.
Komiteti i Nobelit, me seli në Oslo, ia dha çmimin në vitin 2025 udhëheqëses së opozitës venezueliane María Corina Machado, ndërsa në vitin 2026 juristes nga Afrika e Jugut, Navi Pillay, për përpjekjet në mbështetje të paqes dhe së drejtës ndërkombëtare.
Trump kaloi te kritikat ndaj Norvegjisë teksa po fliste për emigracionin. Ai shprehu mbështetje për ardhjen e emigrantëve nga Danimarka, ndërsa bëri komente përjashtuese ndaj atyre nga Somalia dhe më pas ndaj norvegjezëve.
“Nuk dua askënd nga Norvegjia. Nuk dua të kem asnjë lidhje me Norvegjinë”, u shpreh presidenti, duke e lidhur qëndrimin me faktin se nuk kishte marrë Nobelin.
Gjatë fjalimit, Trump rikujtoi edhe takimin me Machadon në Shtëpinë e Bardhë në janar, kur ajo i dorëzoi medaljen e çmimit të saj të vitit 2025.
“Sipas saj, ky çmim duhej t’i shkonte presidentit Trump dhe ajo ma dha medaljen e Nobelit për Paqen. Ishte shumë e sjellshme. Nuk do ta harroj”, tha ai.
Dorëzimi i medaljes nga Machado nuk e bën Trumpin fitues të çmimit.


