OKB ngre alarmin: Mbi 9 mijë palestinezë mbahen në burgjet izraelite

30 Sep 2026 • 22:21
Shpërndaje:

Më shumë se 9 mijë palestinezë ndodhen aktualisht në burgjet dhe qendrat izraelite të ndalimit, ndërsa një pjesë e madhe e tyre mbahen pa akuza apo gjykim, sipas të dhënave të paraqitura nga Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Zëvendësdrejtuesi i Zyrës së të Drejtave të Njeriut të OKB-së në Territorin e Okupuar Palestinez, Neil Tobin, deklaroi gjatë një sesioni të Këshillit të të Drejtave të Njeriut se rreth një e treta e palestinezëve të ndaluar mbahen në paraburgim administrativ.

Të dhënat më të fundit të organizatave palestineze të të burgosurve flasin për rreth 9,350 palestinezë të ndaluar në fillim të shtatorit 2026, prej të cilëve 3,176 në paraburgim administrativ dhe 1,393 të klasifikuar si “luftëtarë të paligjshëm”.

Reklamë Ola

Tobin paralajmëroi se kushtet e ndalimit i ekspozojnë palestinezët ndaj asaj që ai e përshkroi si privim arbitrar dhe të zgjatur të lirisë, torturë, keqtrajtim dhe raste të zhdukjes së detyruar.

Zyra e OKB-së dhe mekanizmat ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut kanë ngritur prej kohësh shqetësime për kushtet në burgjet izraelite. Një raport i OKB-së për vitin 2026 citon vlerësime sipas të cilave 84 deri në 94 palestinezë kishin vdekur në paraburgimin izraelit që nga tetori 2023, ndërsa numri i saktë mbetet i vështirë për t’u verifikuar.

Reklamë InterMedika

Mes rasteve të dokumentuara është ai i 17-vjeçarit Walid Khalid Ahmad, i cili vdiq në mars 2025 në burgun Megiddo. Sipas një raporti të OKB-së, autopsia evidentoi uri, dehidrim, infeksione të patrajtuara dhe neglizhencë sistemike.

Tobin kërkoi që çdo vdekje në paraburgim të hetohet në mënyrë të pavarur dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Ai bëri gjithashtu thirrje që organeve të pavarura të monitorimit t’u garantohet akses i rregullt dhe pa pengesa te të gjithë të ndaluarit palestinezë, përfshirë mundësinë e zhvillimit të takimeve konfidenciale.

OKB-ja ka kërkuar gjithashtu lirimin e personave të mbajtur arbitrarisht ose, në rast se ka prova për vepra penale, ndjekjen e tyre përmes procedurave të drejta gjyqësore. Raportuesja e posaçme e OKB-së për torturën përsëriti në maj këtë kërkesë, duke ngritur shqetësime për kushtet e ndalimit dhe mungesën e garancive procedurale.