CONCACAF i bashkohet UEFA-s, shton presionin ndaj Infantinos

01 Aug 2026 18:57
Shpërndaje:

Kriza në FIFA po thellohet, pasi edhe CONCACAF i është bashkuar kritikave ndaj presidentit Gianni Infantino, duke kërkuar “llogaridhënie të plotë” pas polemikave për planin e shitjes së një pjese të të drejtave tregtare të Kupës së Botës te investitorë privatë.

Në një deklaratë zyrtare, konfederata që drejton futbollin në Amerikën e Veriut, Amerikën Qendrore dhe Karaibe mirëpriti tërheqjen e FIFA-s nga projekti, por theksoi se kjo nuk mjafton për të mbyllur debatin.

Sipas CONCACAF, mënyra se si u hartua dhe u promovua iniciativa ka nxjerrë në pah probleme serioze të transparencës, qeverisjes dhe llogaridhënies brenda FIFA-s.

Reklamë Ola

Konfederata kërkoi reforma konkrete dhe konsultim më të gjerë me konfederatat dhe federatat anëtare, duke theksuar se integriteti i futbollit duhet të mbetet prioritet mbi interesat financiare.

Deklarata vjen pak orë pasi UEFA njoftoi se ka humbur besimin te Gianni Infantino dhe kërkoi përgjegjësi për menaxhimin e projektit të dështuar.

Reklamë InterMedika

Një sërë federatash kombëtare, mes tyre Federata Angleze dhe Federata Shqiptare e Futbollit, përmes presidentit Armand Duka, kanë shprehur gjithashtu mbështetje për qëndrimin e UEFA-s.

Me CONCACAF që i bashkohet kritikave, presioni ndaj Infantinos është rritur ndjeshëm. Edhe pse presidenti i FIFA-s tërhoqi planin për privatizimin e një pjese të të drejtave tregtare të Kupës së Botës, thirrjet për reforma dhe përgjegjësi në drejtimin e organizatës po shtohen.